Tragjedia e Mekës, Mbreti saudit: Do të hetojmë dhe rezultatet do t’i bëjmë publike

13/09/2015 00:00

Mbreti Salman i Arabisë Saudite ka dhënë garanci për bërjen publike të çfarëdo lloj rezultati, që do të dalë nga hetimet mbi shkaqet e rënies së vinçit në vendin e shenjtë për myslimanët, në Mekë, ku mbetën të vrarë të paktën 107 persona.

Vinçi u rrëzua mbi Xhaminë e Madhe të Mekës teksa kjo ishte e tejmbushur me besimtarë për lutjet e së premtes, në më pak se dy javë nga pelegrinazhi i Haxhit. Zyrtarët kanë thënë deri më tani se erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut shkaktuan rrëzimin e vinçit.

Korrespondentët thonë se, edhe më herët ka pasur shqetësime në lidhje me sigurinë në vendet e shenjta të Arabisë Saudite. Mbreti Salman vizitoi vendngjarjen pasditen e së shtunës, e më pas u takua me të mbijetuarit e aksidentit që po marrin ndihmën mjekësore nëpër spitale.

“Do të hetojmë shkaqet e rrëzimit të vinçit dhe menjëherë më pas do t’ua deklarojmë rezultatet të gjithë qytetarëve”, tha Mbreti i sauditëve, i cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve në Arabi.

Viktimat mësohen të jenë besimtarë nga Irani, Turqia, Afganistani, Egjipti dhe Pakistani. Xhamia e Madhe, e njohur edhe si Masjid al-Haram, është më e madhja në botë dhe rrethon vendin e shenjtë të fesë islame, Kaaba.

Të paktën 230 persona të tjerë u plagosën nga incidenti i së premtes. Ende nuk është bërë e qartë sesi u dëmtuan kaq shumë njerëz pas rrëzimit apo rrëmujave që pasuan. Video të publikuara online tregojnë momentin kur struktura në fjalë u shemb, një përplasje e zhurmshme që u pasua nga paniku mes besimtarëve dhe ulërimave. Trupa të gjakosur shiheshin nëpër dyshemenë e xhamisë.

Top Channel