Fier, arrestohen 4 persona për trafik ndërkombëtar narkotikësh; një tjetër në kërkim

13/09/2015 00:00

Pas hetimeve të gjata me metoda speciale të hetimit, një operacion policie është zhvilluar nga forcat e Policisë së Fierit, i koduar “Kasnica”, që ka çuar në arrestimin e 4 personave, pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe shpalljen në kërkim të një tjetri.

Veç tyre, janë sekuestruar edhe 1 kg lëndë narkotike hashash në formë çokollate, një automjet i tipit Skoda Oktavia, 5 aparate celularë dhe një sasi monetare prej 675 eurosh dhe 210 mijë lekësh.

Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë janë zhvilluar ndaj Nardi Meçajt, 28 vjeç e banues në Cakran të Fierit; Gazmend Seatit, 23 vjeç e banues në Kasnicë të Patosit; Oriol Begajt, 33 vjeç e banues në lagjen “Kastriot” të Fierit; Haxhi Berajt, 34 vjeç e banues në Patos; të gjithë të arrestuar tashmë, ndërkohë që është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e Florian Hysajt, 23 vjeç, banues po në Cakran të Fierit.

Sipas hetimeve të kryera deri më tani, ky grup kriminal grumbullonte lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, kryesisht në formë çokollate, të ndara në sasira të vogla 1-3 kg dhe më pas e transportonte atë drejt Greqisë sipas porosive të personave të ndryshëm shqiptarë, të cilët banojnë në shtetin fqinj.

Top Channel