“Luani i artë” për filmin venezuelian “Desde Alla”

13/09/2015 00:00

Filmi venezuelian që i bën jehonë kaosit dhe dhunës në Karakas, “Desde Alla” apo “Nga larg”, është shpallur fitues i çmimit “Luani i artë” në Festivalin ndërkombëtar të Filmit, në Venecia të Italisë.

Duke e pasur filmin e tij të parë artistik, apo debutuesin, regjisori Lorenzo Vigas tregon historinë e një njeriu të pasur, i cili përfshihet në një marrëdhënie seksuale me një të ri nga një prej bandave më të rrezikshme të qytetit.

“Dua t’ia dedikoj këtë çmim vendit tim të shtrenjtë, Venezuelës. E di që kemi disa probleme, por nëse flasim për to edhe mund t’i tejkalojmë”, tha Vigas. Venezuela në fakt është duke kaluar një krizë ekonomike tepër të rëndë, gjë që shkaktoi edhe muaj të tërë protestash gjatë vitit të kaluar për shkak të mungesës së shumë ushqimeve.

Të enjten, udhëheqësi i opozitës venezueliane, Leopoldo Lopez u dënua me 13 vite e 9 muaj burgim, për shkak të nxitjes së dhunës gjatë atyre protestave.

Filmat duhet të ndihmojnë vendet e Amerikës Latine “të mësojnë nga gabimet e së shkuarës”, shtoi Vigas.

Ndërkohë, thrilleri kriminal i regjisorit argjentinas, Pablo Trapero, “The Clan” fitoi “Luanin e argjendtë” si regjisori më i mirë. Filmi, që pati një sukses të jashtëzakonshëm në Argjentinë, tregon historinë e vërtetë të një familje të zakonshme nga Buenos Airesi, që rrëmbenin njerëz të pasur për t’u kërkuar shpërblime dhe i fshihte ata në shtëpinë e tyre përpara se t’i vrisnin.

President i jurisë së Festivalit të Filmit të Venecias, këtë vit ishte regjisori meksikan, Alfonso Cuaron, i cili u shpreh tepër i kënaqur nga fakti që triumfoi një film amerikano-latin, por deklaroi se ishte “veçse një koinçidencë” që juria udhëhiqej nga një meksikan.

Çmimi i dytë i jurisë së këtij festivali shkoi për komedinë amerikane “Anomalisa”, të regjisorëve Duke Johnson dhe Charlie Kaufman. Ndërsa çmimi për aktorin më të mirë shkoi për francezin Fabrice Luchini, që luajti rolin e gjykatësit në filmin “L’Hermine” (I joshur) të regjisorit Christian Vincent.

Top Channel