Aksionet kundër veprimtarive të paligjshme, 9 të arrestuar

13/09/2015 00:00

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë prej disa kohësh tashmë aksionet e shtrira në mbarë vendin për të parandaluar dhe goditur veprime të shumta të paligjshme që ushtrohen në vendin tonë, kryesisht ndërtimet pa leje, prerjen e paligjshme të pyjeve dhe organizimin e lotarive të palejuara.

Gjatë javës së fundit, policia ka evidentuar në të gjithë vendin 35 raste ndërtimesh pa leje, për të cilat janë proceduar penalisht po aq autorë, nga të cilët 9 janë arrestuar në flagrancë, 24 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa dy janë shpallur në kërkim.

Sa u përket masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, janë evidentuar gjithsej 16 raste në vend, autorët e të cilave ndiqen në gjendje të lirë që të gjithë. Në lidhje me organizimin e lotarive të palejuara, forcat blu kanë evidentuar 5 raste, e të pestë autorët ndiqen në gjendje të lirë.

Vetëm për aksionet që i përkasin tematikës së fundit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 makineri lojërash fati, një rulotë, 14 kompjutera dhe 6 televizorë. Këto masa, siç paralajmërojnë strukturat e Policisë së Shtetit, do të vijojnë edhe në javët në vazhdim.

Top Channel