Juventusi merr pikën e parë mes fërshëllimash të tifozëve

13/09/2015 00:00

Juventusi ka marrë mes fërshëllimash dhe vendimesh të dyshimta të gjyqtarit Guida, pikën e parë në këtë kampionat.

Kampionët i shpëtuan turpit të tretë radhazi falë një 11-metërshi më shumë të fituar nga Kuadrado sesa të shkaktuar nga mbrojtësit e Kievos.

Ndeshja u mbyll 1-1. Kievo në avantazh që në minutën e 5-të të takimit me një gol të shqiptarit, Përparim Hetemaj.

Reagimi i bardhezinjve ishte i vakët dhe i paqartë në fazën e sulmuese, ndërsa Kievo u mbrojt mirë dhe rrezikoi disa herë me kundërsulm, e në një nga këto raste gjeti edhe golin e dytë, që për gjyqtarin e takimit ishte i parregullt.

Si të mos mjaftonte ky penalizim, skuadrës mike iu dha edhe një 11-metërsh kundër në minutën e 83-të. Kuadrado, ndoshta më i miri në fushë për Juventusin, kërkoi këmbët e mbrojtësit të Kievos dhe fitoi me zgjuarsi penalltinë.

Paolo Dybala mori përsipër ekzekutimin e saj dhe nuk gaboi. Topi përfundoi në rrjetë dhe Juventusi barazoi 1-1.

Minutat e mbetura nuk mjaftuan për të ndryshuar rezultatin, ndërkohë që paraqitjet e kampionëve në fuqi u fërshëllyen thuajse gjatë gjithë kohës nga tifozët në shkallët e stadiumit.

Juventusi ka vetëm një barazim në tre ndeshjet e para të këtij kampionati. Në javën hapëse, bardhezinjtë u mposhtën nga Udineze në Torino, ndërsa në javën e dytë u mundën 2-1 në transfertë nga skuadra e Romës.

Top Channel