Berat, pretendonte pronësinë e ndërtesës, 65-vjeçari i vë flakën; arrestohet

13/09/2015 00:00

Një person është arrestuar në flagrancë nga specialistë të seksionit të krimeve të Policisë së Beratit, pasi ditën e shtunë i kishte vënë zjarrin mjediseve të godinës ku ndodhen zyrat e ish-Komunës, shkolla dhe qendra shëndetësore e fshatit Leshnje, në Skrapar.

Shtetasi i arrestuar është Xhafer Doko, 65 vjeç, banues i këtij fshati, i cili ka pretendime në lidhje me pronësinë e kësaj godine, e në kushtet e moszgjidhjes së çështjes së pronës, ka zgjedhur të përgjigjet me zjarrvënie.

Sipas komunikatës së policisë, ai ka kanosur me armë gjahu të tipit çifte edhe shtetasin G. Gj., 74 vjeç, banues në Tiranë, por dyshohet edhe për vendosjen e një bombe tymuese “Breda” në hyrje të derës së shkollës, që për fat të mirë nuk ka shpërthyer.

Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, teksa akuzohet për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “shkatërrim të pronës me zjarr”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe atyre sportive, si dhe “kanosje”, vepra penale këto të parashikuara nga Kodi Penal.

Top Channel