PD: Qeveria po zhyt të varfërit në skamje

13/09/2015 11:10

Partia Demokratike denoncoi nga Mokra atë që e quan eksodin masiv të shqiptarëve. Deputetja Albana Vokshi, e shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri vizituan disa fshatra të zonës.

Sipas PD, mbi 250 familje janë larguar nga Mokra drejt vendeve europiane në muajt e fundit në përpjekje për mbijetesë për shkak të kushteve të mjerueshme.

Në fshatin Trebinjë dhe Potgozhan, në skamje të plotë, nuk ekziston asnjë mundësi zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë ndërkohë që në terren nuk është investuar asgjë nga qeveria.

Gjatë takimeve, deputetja Vokshi tha se qeveria nuk po kryen detyrën duke lënë familjet e varfra në skamje të plotë duke u prerë ndihmën ekonomike padrejtësisht.

Deputetja u ndal në familjen Muça, ku kryefamiljarit të paralizuar në punë dhe me disa sëmundje, i ishte mohuar e drejta për të marrë pagesën e KEMP-it, të miratuar në fund të vitit 2013.

 “Ju e shihni që këtu ka një varfëri migjeniane! Pa drita e me qirinj! Pa ujë!  Mungojnë dhe mjetet më bazike të një jete minimaliste. Këtu nuk zbatohen të drejtat më minimale të njeriut dhe ligji shkelet hapur me arrogancë. Gratë kryefamiljare nuk punësohen dhe nuk marrin ndihmë sociale. KEMP-i u hiqet në mënyrë çnjerëzore të sëmurëve, në shkelje të plotë të ligjit. Nga  gjithë ky mjerim, njerëzit gjejnë mundësi shpëtim tek emigrimi që qeveria mundohet ta fshehë dhe të manipulojë shkaqet e tij drithëruese”, tha Vokshi.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi deklaroi se historitë e mjerimit në Mokër dhe eksodi i shqiptarëve vlejnë të denoncohen si krime të qeverisë. Ajo tha se Partia Demokratike ka një plan shpëtimi, i cili do të nxjerrë shqiptarët nga kriza, me taksa të ulta, luftë kundër krimit dhe korrupsionit shtetëror dhe programe punësimi.

Top Channel