Turqi, sulmi i PKK-së vret dy oficerë policie; shpallet shtetrrethimi

13/09/2015 11:00

Militantët kurdë kanë shpërthyer një makinë bombë pranë një pike kontrolli policor në juglindje të Turqisë gjatë orëve të para të së dielës, duke lënë të vrarë dy oficerë policie dhe duke plagosur 5 të tjerë, njoftuan burime të sigurisë, duke shënuar kështu rastin më vdekjeprurës në rajonin e prekur nga dhuna gjatë dy dekadave të fundit.

Më shumë se 100 policë dhe ushtarë kanë vdekur, ashtu sikurse dhe qindra militantë, në konfliktin e rikthyer në pikën më të rëndë që pas prishjes së armëpushimit gjatë muajit korrik, duke i dhënë kështu një goditje procesit të paqes të nisur në vitin 2012 mes Turqisë dhe militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Si pasojë e sulmit kamikaz pranë bazës në provincën e Sirnakut, forcat ushtarake kurde kanë bombarduar një zonë malore ku ishin strehuar luftëtarët kurdë pas sulmit. Dy militantë raportohen të vrarë nga ky operacion i mbështetur edhe nga helikopterët gjuajtës “Cobra”. Ndërkohë, helikopterët transportues “Sikorsky” kanë zbritur në zonën në fjalë trupat komando, ku priten edhe përplasje të tjera.

Luftëtarët guerrilë të PKK-së nisën një sulm këtë të dielë me granata të mbushura me përmbajtje raketore, por edhe me armë, në qarkun Silvan të provincës së Diyarbakirit, duke vrarë një polic dhe duke plagosur një tjetër.

Në qendër të Diyarbakirit, qytetit më të madh në juglindjen e populluar kryesisht nga kurdët, është shpallur edhe shtetrrethimi gjatë mëngjesit të së dielës, siç bën të ditur guvernatori i qarkut të Surit.

Dëshmitarët thanë se ende dëgjohen të shtëna në Sur, teksa shtetrrethimi pritet të zgjasë por pa e ditur se për sa. Një i tillë ishte shpallur edhe në qytetin e Cizresë, pranë kufirit me Sirinë dhe Irakun prej një jave, që përfundoi të premten. Një partia prokurde bëri të ditur se 21 civilë janë vrarë gjatë përplasjeve në këtë rajon, ndërsa qeveria njoftoi për 1 civil dhe 32 militantë të vdekur.

PKK nisi kryengritjen separatiste në vitin 1984, kohë gjatë së cilës mbi 40 mijë njerëz janë vrarë. Ajo është konsideruar si një organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Presidenti Tayyip Erdogan ka premtuar se lufta do të vazhdojë derisa “asnjë terrorist të mos mbetet gjallë”. Konflikti është përshkallëzuar sidomos tani që Turqia përgatitet për zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 1 nëntor, pasi votimet e qershorit nuk çuan në krijimin e një qeverie.

Top Channel