Tubime në të gjithë Europën, pro dhe kundër refugjatëve

13/09/2015 11:25

Tubime janë zhvilluar në pjesë të ndryshme të Europës, një pjesë në mbështetje të refugjatëve të mbërritur në kontinentin e vjetër, të tjerë për të kundërshtuar praninë e tyre.

Dhjetëra mijëra njerëzit e grumbulluar në zemër të Londrës ishin dashamirës të refugjatëve, që u largohen konflikteve të përgjakshme sidomos në Lindjen e Mesme. Tubimi i tyre ishte një protestë ndaj qëndrimit të mbajtur nga qeveria britanike, përballë krizës së përshkallëzuar të emigrantëve.

Aktivistë të të drejtave të njeriut, politikanë dhe artistë marshuan në sheshin e Parlamentit, në solidaritet me të ardhurit. Disa nga protestuesit mbanin në duar pankarta të tilla si, “Hapni kufijtë” dhe “Me refugjatët kundër torëve”, një referencë e qartë për partinë e kryeministrit David Cameron.

Autoritetet daneze bllokuan ditë më parë rrugët e linjat hekurudhore për emigrantët, por mes njerëzve të thjeshtë, për ta ka mjaft mbështetje. 30 mijë vetë demonstruan në Kopengahen në favor të marrjes së mijëra refugjatëve, që kërkojnë një jetë më të mirë në Europë. Sloganet e tyre ishin “Europa është lagjja më e afërt me Sirinë” dhe “Mirë se vini refugjatë”.

Për një politikë më bujare të qeverisë së tyre kundrejt refugjatëve u shprehën edhe mijëra tubues në Stokholm të Suedisë. Protesta pati edhe në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, vetëm se në një kontekts krejt ndryshe.

Demonstrata e mijëra vetëve atje synoi të tregonte se, emigrantët në këtë vend janë të padëshiruar, e ilustruar mëse qartë kjo edhe me parullat antiislame të lëshuara në çdo çast. Pati edhe një tubim paralel të grupeve në favor të mikpritjes për emigrantët, por numri i pjesëmarrësve atje ishte shumë herë më i ulët se ai i kundërshtarëve.

“Unë jam këtu, sepse nuk pajtohem. Ne, që të gjithë nuk pajtohemi me islamizimin e Europës dhe islamizimin e Polonisë”, tha një demonstrues.

E ngjashme ishte situata edhe në Sllovaki, ku pati marshime nga të dy kahet. Parullat e nacionalistëve ishin “Sllovakia për sllovakët” dhe “I thoni jo diktaturës së Europës”.

“Kam eksperiencën time me myslimanët dhe, e di mirë se, ata nuk janë njerëz që integrohen me lehtësi. Kudo shkojnë, lënë pas shkatërrim dhe nuk mendoj fare që janë emigrantë politikë; për mua ata janë thjesht emigrantë ekonomikë”, tha një tjetër demonstrues.

Mbështetësit e shohin ndryshe.

“Jam këtu, sepse dua që Sllovakia të jetë më pranë Perëndimit. Duke marshuar nëpër qytet e duke bërtitur me të madhe ‘Heil’ nuk do të zgjidhim asgjë”, tha një mbështetës i refugjatëve.

Deri tani, vetëm përgjatë 2015-s, në vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar azil plot 500 mijë vetë.

Top Channel