Artistët e Ballkanit, në Londër

13/09/2015 00:00

Shoqata e artistëve të Ballkanit, me seli në Londër, ka hapur në kryeqytetin britanik një ekspozitë të disa artistëve ballkanas, ku mes atyre nga Kroacia, Greqia, Turqia e Bosnje-Hercegovina, merr pjesë edhe artisti shqiptar Gazmend Ejupi, nga “Tirana Art Biennale”.

Kjo ekspozitë, e titulluar “Two Mouthsful of Silence” dhe e kuruar nga Bea Herhold de Sousa, do të qëndrojë e hapur për publikun britanik deri më 17 shtator.

Sipas zonjës Kristale Rama, drejtoreshë e Shoqatës së artistëve të Ballkanit, e cila promovon dhe mbështet artistë nga tërë rajoni i Ballkanit për publikun britanik, “tema me të cilën merret ekspozita është ‘kriza dhe dhimbja’ dhe sesi interpretimi i tyre procesohet te njerëzit e ndryshëm. Është një temë, të cilën e gjithë bota e kupton në shkallë të ndryshme”, thotë zonja Rama për Top Channel.

Shoqata e artistëve të Ballkanit, në Londër, ka organizuar së fundmi disa aktivitete promovuese për krijuesit dhe artistët nga vendet e gadishullit, të cilët kanë mundur t’i ofrojnë publikut britanik artin e tyre dhe veçantinë e tij.

Top Channel