Greqi, tërheqje masive parash edhe pas vendosjes së kontrollit

13/09/2015 13:25

Edhe pse kontrollet e kapitalit kanë kohë që janë vendosur, tërheqjet në masë të parave nga bankat greke vazhdojnë. Vetëm gjatë muajit korrik, depozituesit llogaritet të kenë larguar prej institucioneve financiare 1,4 miliardë euro.

Arsyeja e këtyre veprimeve të heshtura, sipas ekspertëve vendas të ekonomisë, është se bankat ende nuk e kanë rifituar besimin e qytetarëve. Shumë grekë druhen se mund t’i humbasin kursimet e tyre në përpjekjet e autoriteteve për të shpëtuar bankat, veçanërisht pasi rikapitalizimi i njoftuar për bankat mund të vazhdojë deri nga vjeshta.

Në Greqi – kujtojnë mediat gjermane, – ashtu si në të gjitha vendet e tjera të BE-së, vlen gjithashtu sigurimi ligjor i depozitave bankare, deri në një maksimum prej 100 mijë eurosh. Kjo nuk është, sidoqoftë, një garanci europiane, por kombëtare.

Edhe pse për momentin, depozitave mbi këtë shumë nuk u kanoset ndonjë rrezik, frika ekziston dhe mbase nuk do të zhduket para procesit të rikapitalizimit. Ekonomistët shohin edhe një problem tjetër, kur flitet për rivendosjen e besimit tek institucionet financiare greke.

Një numër jo i vogël grekësh janë larguar për shkak të krizës, e t tjerë, të nisur nga zhvillimet e së  shkuarës, nisen tani, shpeshherë nga pikëpamja e gabuar se mund të jetojnë edhe pa bankat.

Nga ana tjetër, frika që ngjall pasiguria e situatës nuk i ka frenuar grekët të shpenzojnë. Konsumi privat në vend ka pësuar rritje në gjysmën e parë të vitit, sipas shifrave zyrtare, ndonëse vazhdimi i kësaj prirjeje për pjesën tjetër të vitit pritet për t’u parë.

Top Channel