Nikolla uron nxënësit me rastin e nisjes së vitit shkollor

13/09/2015 13:40

Ditën e hënë, dyert e shkollave do të hapen për 500 mijë nxënës. Këtë vit  të ri shkollor janë regjistruar 30 mijë vogëlushë të cilët do të ulen për herë të parë në bankat e klasave të para, ku do të studiojnë me tekste të reja.

“Ju pershëndes së pari ju 30 mijë vogëlushve që zemra ju rreh fort me padurimin e pritjes së ziles së parë të shkollës. Për herë të parë këtë vit shkollor 76 mijë nxënës do të mësojnë me tekste të reja të klasës së parë dhe të gjashtë, botime të emrave të mëdhëdhenj siç janë “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson””, thotë në deklaratën përshëndetëse, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Nikolla ka  theksuar se  politika do të qëndrojë jashtë dyerve të shkollave.

“Ndonëse 2015 ishte një vit elektoral, shkolla për herë të parë mundi të  mbetej e papolitizuar. Asnjë mësues apo nxënës nuk u detyrua të mbushte sheshet e takimeve politike. E bindur jam që kemi ende për të bërë, por shumfish e vendosur për të larguar  politikën nga shkolla duke ndërtuar një sistem transparent emërimësh bazuar në meritë”, shton ndër të tjera Nikolla.

MInistria e Arsimit bën të ditur se janë rikonstruktuar 44 shkolla dhe ka përfunduar ndërtimi i 18 të tjera. Megjithatë, Tirana edhe këtë vit do të përballet me shkolla me dy turne, jo vetëm të mesme, por edhe nëntëvjeçare, si pasojë ngarkesës dhe vonesës në rikonstruksione.

Top Channel