Ekspozita e Ramës në Mynih

13/09/2015 14:50

Edi Rama ka 16 vjet që nuk ka hapur një ekspozitë vetjake, por që nga muaji prill, dy galeri në Gjermani kanë ekspozuar punimet e tij abstrakte.

Ekspozita e muajit prill në Berlin, tani është zhvendosur në Mynih dhe pas takimeve zyrtare politike, Edi Rama është shfaqur si artist, nga ata më të njohurit që japin autografe.

Në galerinë “Kempl” në Mynih, janë shfaqur mbi 100 piktura abstrakte të Edi Ramës, të punuara mbi fletët e kalendarit të punës dhe dokumentave politike që kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe deri më sot në detyrën e kryeminstrit. 

Ngjyrat janë aleatet më të forta të Edi Ramës abstraksionist, por siç thotë vetë ai, ngjyra nuk është vetëm art, është edhe veprim politik.

Me këtë moto ai iu përgjigj edhe interesit të bashkëbiseduesve në Galerinë e Mynihut për veprën e tij më të njohur artistike dhe politike; fasadat me ngjyra të Tiranës.

“Në Tiranë ishte një moment shumë fantastik, sepse ishte gjithçka për t’u bërë nga e para. Situatat e vështira janë shumë interesante, sepse të krijojnë kushtet të bësh diferencë. Por nuk ishte një operacion artistik, ishte thjesht një operacion politik, po me ngjyra, jo me fjalë”, tha ai.

Ekspozita e Edi Ramës në Mynih do të qëndrojë e hapur deri në 10 tetor, kohë gjatë së cilës artdashësit e abstraksionizmit mund të shtojnë në koleksionet e tyre pikturat e një kryeministri shqiptar.

Top Channel