BSH, akses në informacionin e bankave të BE-së

13/09/2015 14:55

Banka e Shqipërisë është pranuar zyrtarisht në kolegjet mbikqyrëse të bankave europiane. Vendimi, i cili është marrë nga Autoriteti Bankar i Europës, përveçse certifikon besueshmërinë e kuadrit mbikqyrës në vend, i jep Bankës së Shqipërisë zë në vendimarrjen që ka të bëjë me mbikqyrjen e bankave europiane. 

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se, pjesa më e rëndësishme e këtij vendimi ka lidhje me aksesin në informacion. Bankat kryesore që janë në Shqipëri vijnë nga vendet e Bashkimit Europian. Pranimi në Kolegjet e Mbikqyrjes i mundëson Bankës së Shqipërisë të ketë informacion të plotë mbi gjendjen e tyre financiare, jo vetëm për degën lokale, por edhe në rang grupi. Pra të ketë akses në bilancet dhe pasqyrat e tyre financiare në çdo vend ku ato kanë aktivitet. Kjo, sipas ekspertëve të bankës, e bën sistemin financiar më të sigurtë.

Kolegjet Europiane të Mbikqyrjes janë institucionet që koordinojnë mbikqyrjen e bankave të shtrira në më shumë se një vend. Një nga detyrat më të rëndësishme të tyre është arritja e vendimeve të përbashkëta mbi nivelin e kapitalit dhe një sërë treguesish të tjerë tëe rëndësishëm që kanë të bëjnë më shëndetin financiar të bankave.

Përgjithësisht, të gjitha grupet e fuqishme bankare kanë aktivitet në shumë vende njëherësh. Për shkak se mbikqyrja e izoluar e tyre vend pas vendi rezultoi jo eficente pas krizës financiare, Bashkimi Europian vendosi të kalojë në mbikqyrjen e koordinuar të këtyre bankave duke krijuar fillimisht njësinë e përbashkët të mbikqyrjes dhe më pas kolegjet.

Top Channel