Dekriminalizimi në PD, Kosova vihet në krye të komisionit të verifikimit

13/09/2015 15:00

Partia Demokratike ka krijuar këto ditë një komision të posaçëm për verifikimin e figurës së përfaqësuesve të saj në të gjitha nivelet.

Premtimin e bërë disa javë përpara zgjedhjeve lokale, kryetari Lulzim Basha po e realizon duke vendosur në krye të këtij komisioni ish-kandidatin e Partisë Demokratike për Tiranën, Halim Kosova, i përgëzuar publikisht për qytetarinë e tij në fushatë nga ambasadori amerikan në Tiranë dhe në raportin përfundimtar të OSBE-së për zgjedhjet.

Burime në Partinë Demokratike bëjnë të ditur se, ky komision do të filtrojë të gjitha emrat që drejtojnë forcën më të madhe të opozitës, nga nivelet më të ulëta e deri në ato më të larta.

Pjesë e detyrave të komisionit është edhe verifikimi i pastërtisë së figurës së kandidatëve të saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe të atyre që do të drejtojnë vendin, nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha e ka kthyer dekriminalizimin në një kauzë politike, e cila – siç shprehet ai, – ka nisur të japë frytet e para. Sipas Lulzim Bashës, Partia Demokratike do të ketë alternativën dhe njerëzit më të denjë për të përfaqësuar shqiptarët.

Kreu i opozitës thotë se do të bëjë gjithçka, që praktika e përfaqësimit me kriminelë, trafikantë, njerëz të pashkolluar dhe me diploma false të marrë fund sa më shpejt, së bashku me autorët e kriminalizimit të pushtetit, dyshen Rama-Meta.

Top Channel