Dyfishohen kërkesat për arsimin profesional

13/09/2015 15:05

Këtë vit numri i të rinjve që kanë zgjedhur të ndjekin arsimin profesional është dyfishuar në krahasim me dy vite më parë.

Ministri i Çështjeve Sociale, Blendi Klosi tha se këtë vit do të punohet për përmirësimin e kurrikulave, por edhe për ndërtimin e më shumë laboratorëve.

“Arsimi profesional tashmë ka hyrë në një fazë të re, në fazën që ne kemi prezencë dhe kërkesë shumë të madhe nga të rinjtë. Pra, me punën dyvjeçare që është realizuar për ringritjen e emrit të arsimit profesional, ne ja kemi dalë. Kemi në ditën e parë të shkollës një rritje të kërkesave me mbi 40 përqind, krahasuar me vitin e kaluar dhe 2-3 herë më shumë krahasuar me dy vjet më parë. Ajo që ne na del me më shumë përgjegjësi, është realizimi i laboratorit të këtij arsimi profesional për të qenë sa më pranë kërkesave të kohës dhe kërkesa e vazhdueshme që nxënësit të edukohen jo vetëm përmes kurrikulave klasike, por në bazë të kurrikulave që kërkon tregu i sotëm i punës”, deklaroi Klosi.

Të rinjtë, të cilët ndjekin arsimin profesional, kanë më shumë mundësi që të gjejnë vende pune në ndërmarrje të ndryshme. Klosi tha se do të kërkohet njësim i kurrikulave me tregun ndërkombëtar, në mënyrë që ata të kenë mundësi reale për t’u punësuar edhe jashtë Shqipërisë.

Këtë deklaratë Klosi e bëri gjatë takimit që kishte si temë rritjen e bashkëpunimit mes të rinjve të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë.

Top Channel