OSHEE, rekord historik me arkëtimet

13/09/2015 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaroi se, gjatë muajit gusht arkëtoi 5.12 miliardë lekë nga faturat e energjisë. Sipas OSHEE-së, ky është një rekord historik dhe, krahasuar me gushtin e një viti me parë, arkëtimet janë rritur me 1.69 miliardë lekë.

Në total si tetëmujor, kompania publike që administron monopolin e shpërndarjes së energjisë ka grumbuluar këtë vit 44,4 miliardë lekë, ose mbi 49 për qind më shumë se një vit më parë. Sipas kompanisë, arkëtimet në nivele rekord janë rezultat i uljes agresive të humbjeve.

Të dhënat e saj tregojnë se, gjatë muajit të kaluar, humbjet totale zbritën në nivelin 29.3%, një shifër kjo që është 7.1% më e ulët, sesa ajo e gushtit të vitit 2014. Ndërkaq si tetëmujor, treguesi i humbjeve shënon nivelin 31.72%, nga 39.4% që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Së bashku me Policinë e Shtetit, OSHEE është duke kryer kontrolle në të gjithë territorin e vendit për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që vjedhin energjinë.

Policia e Shtetit dhe OSHEE thonë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur për vendosjen e ligjshmërisë në sektorin energjetik, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel