Fluksi i emigrantëve, Berlini rivendosi kontrollet në kufirin me Austrinë

13/09/2015 18:50

Gjermania do të vendosë kontrolle të përkohshme në kufirin e saj me Austrinë për t’i bërë ballë në këtë mënyrë fluksit të madh të emigrantëve.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, deklaroi se nuk mund të zgjedhin refugjatët vendin e tyre mikpritës e i bëri thirrje shteteve të tjera të Bashkimit Europian, të mos qëndrojnë indiferente, por të bëjnë më shumë.

Sipas Thomas de Maiziere, edhe pse kontrollet do të fokusohen më së shumti tek Austria fqinje, qëllimi i Berlinit është që verifikimet, edhe pse përkohësisht, të shtrihen përgjatë gjithë kufijve të brendshëm të Bashkimit Europian.

Objektivi është i qartë, sqaroi ai, këto masa synojnë kufizimin e vërshimit të njerëzve drejt Gjermanisë dhe rikthimin e procedurave të rregullta të pranimit të të huajve në një vend. Edhe pse nuk shpjegoi në detaje sesi do të funksionojnë kontrollet në fjalë, ministri e bëri të qartë se ato mund të shkaktojnë deri diku probleme me shërbimet hekurudhore.

Më herët, kompania austriake e hekurudhave pohoi se trenat nuk po lëvizin më drejt Gjermanisë.  Ndërsa sipas BBC-së, e cila citon burime austriake, shërbimi hekurudhor mes dy shteteve është anuluar të paktën deri të hënën në mëngjes, ndërsa dy palët janë duke diskutuar mbi këtë çështje.

Top Channel