Banorët e Medvegjës lejohen të hynë në territorin e Serbisë pas 7 orësh

13/09/2015 21:20

Pas 7 orë pritje në pikë-kalimin kufitar Mutivodë mes Kosovës dhe Serbisë, banorët e Medvegjës që jetojnë në Kosovë, rreth orës 17:00 janë lejuar të hynë në territorin e Serbisë.

Ata në ora 7:00 të mëngjesit janë nisur në drejtim të Medvegjës për të votuar në zgjedhje lokale që janë mbajtur gjatë ditës së diel, por nuk janë lejuar nga polica serbe me arsyetimin se kanë probleme me sistemin e regjistrimit të të dhënave.

Pas disa orësh pritje, këta qytetarë në shenjë proteste janë përplasur me policinë serbe, por kjo e fundit ka arritur t’i kthejë mbrapa në territorin e Kosovës.

Gjatë kohës sa qytetarët kanë pritur në kufi me Serbinë janë vizituar nga përfaqësues të subjekteve politike në Luginën e Preshevës, të cilët së bashku me përfaqësuesit e Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare kanë ndërhyrë në lirimin e rrugës.

Ndërkohë gjatë ditës, zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Top Channel se Policia e Kosovës në bazë të detyrave dhe autorizimeve që ka, ka kryer me kompetencë të gjitha detyrat e saj, ndërsa sipas palës serbe ata kishin pengesa të herë pas hershme në sistemin për regjistrimin e automjeteve dhe personave dhe si pasojë janë shkaktuar vonesa dhe pakënaqësi për personat që lëvizin në atë pjesë.

Hoxha ka theksuar se përveç pritjeve nuk është raportuar për ndonjë incident.

Top Channel