Mbi 500 mijë nxënës nisin mësimin

14/09/2015 09:05

Dyert e shkollave janë hapur për rreth 500 mijë nxënës në të gjithë vendin. Emocionet më të mëdha i kanë patur nxënësit e klasave të para, të cilët sot kanë nisur udhëtimin e gjatë drejt dijes.

Për nxënësit e klasës së tretë në “Shkollën e Kuqe”, dita e parë e shkollës ka qenë e trishtë. Ata nuk kanë pranuar të futen në klasë, pasi nuk pranojnë që gjuha italiane të zëvendësojë anglishten.

“Unë dua që drejtoresha të na vërë anglishten në shkollë, pasi ajo gjuhë flitet në të gjithë botën”, thonë fëmijët.

“Gjithçka është vendosur në verë, kur kemi qenë me pushime. Nuk na ka pyetur njeri. Do të protestojmë çdo ditë. Nuk na sqaron njeri”, shprehen prindërit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në shkollën e mesme “Ismail Qemali”.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ta bëjmë një shkollë model “Ismail Qemalin”, të hapur për komunitetin, pjesë e projektit “Shkollat komunitare”. Kjo do të thotë që shumë prej jush do të angazhoheni në aktivitete sportive, kulturore ose në aktivitete që ndihmojnë njësinë administrative numër 2. Ne do të kthejmë traditën e shpërndarjes së bursave për çdo student që dilte me të gjitha dhjeta”, tha kryebashkiaku.

Veliaj, si ish-nxënës i kësaj shkolle, ka theksuar edhe një herë se është shumë e rëndësishme që çdo i ri të ketë rezultate të larta.

Top Channel