Totozani, letër Juncker: Migracioni u instrumentalizua nga rrjetet e krimit dhe trafikimit të qënieve njerëzore

14/09/2015 09:30

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në një letër dërguar presidentit të KE-së, Jean- Claude Juncker, në cilësinë e kreut të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), shprehet se flukset migratore u instrumentalizuan nga rrjetet e krimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Totozani ofron gatishmërinë e AOM për veprime të përbashkëta në zgjidhje të krizës humanitare të emigracionit, duke u shprehur dhe pro implementimit të axhendës europiane mbi Migracionin, të miratuar nga KE.

“Presidenti i Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), i mbështetur nga të gjithë anëtarët e AOM-së, shpreh mbështetjen e fuqishme për angazhimin e institucioneve dhe agjensive të BE-së, për të mobilizuar vullnetin e duhur politik dhe burimet mbështetëse, për të trajtuar problematikën e flukseve mikse migratore. Implementimi efektiv i Agjendës Europiane mbi Migracionin, e miratuar nga Komisioni Europian ka rëndësi jetike, si për sa i përket veprimeve imediate për shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve dhe azil-kërkuesve, ashtu edhe për trajtimin e shkaqeve në rrënjë të kësaj problematike, duke përfshirë këtu varfërinë dhe destabilitetin që qëndrojnë në sfond të krizës aktuale. Duke patur parasysh mbledhjen e Këshillit të Jashtëzakonshëm të Ministrave të Brendshëm të hënën, më 14 shtator 2015, ne inkurajojmë fuqishëm Komisionin Evropian për të vazhduar rolin e vet aktiv brenda sistemit institucional të BE-së dhe në marrëdhëniet me vendet e origjinës apo tranzitit, me synimin që përqasja e të drejtave të njeriut të jetë pjesë integrale e strategjive dhe plan-veprimeve kombëtare dhe ndër-kufitare në përgjigje të krizës së migracionit”, thuhet në letrën e z. Totozani, dërguar Juncker.

Top Channel