Pagesat nga Thesari, Berisha akuzon LSI-në, Manjani: Gjithçka transparente

14/09/2015 11:45

Lëvizja Socialiste për Integrim ka shfrytëzuar ditën e parë të shkollës për të mundësuar një dalje publike të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike për të dhënë sqarime për denoncimin e ish-kryeministrit Berisha.

Ai postoi një pasqyrë të transaksionit të Thesarit të Shtetit, të listë-pagesës së Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit, ku një ndër zërat ishte kuotë partie.

Për ish-kreun e qeverisë shqiptare, që i bën thirrje Prokurorisë të hetojë, ky është një rast unik në botë, pasi Thesari i Shtetit  po financon LSI-në.

“Nga Thesari i Shtetit, pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, kanë kaluar pagesat në llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim me përshkrimin “Min. Mjedisit kuotë partie gusht 2015”, siç janë bërë edhe të shumë muajve të tjerë përgjatë 2015. Duket se në këtë vend institucioni shtetëror është bërë anëtar i LSI-së dhe si i tillë paguan kuotizacion, ndërsa Thesari i Shtetit kthehet në llogaritar të LSI”, shkruan Berisha.

Ish-kryeministri shton se ky është shembull tipik i keqpërdorimit të institucioneve publike, duke i kthyer ato në leva partie në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore.

“I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë me përparësi këtë skandal të paprecedent, në të cilin duart e zeza të partisë, kovat e saj mbushen direkt në kundërshtim flagrant me çdo ligj nga Thesari i Shtetit, duke shndërruar atë në thesar të partisë”, thotë ish-kreu i Qeverisë.

Këto pretendime të Berishës i ironizoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Ylli Manjani.

“Ka një dallim të madh mes Berishës para 17 viteve dhe Berishës së sotëm. Sot 17 vite më parë, Berisha kishte marrë kryeministrinë në këtë orë dhe po i drejtohej televizionit me një grusht shteti, ndërsa sot, si një plak i lënë në pension, ka kohë të shkruajë në Facebook. Berisha ka kohë, ka nge, por ne nuk kemi kohë të merremi me Berishën pafundësisht”, tha Manjani.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Ylli Manjani ka sqaruar sesi ka funksionuar kjo skemë.

“Nga paga e zyrtarit politik, me lejen e zyrtarit politik, pra me deklaratë të tij, Thesari bën ndalesën përkatëse sipas urdhrit që i jep pronari i pagës. Pra, nga paga e deputetit, ministrit apo zv.ministrit gjithkusht është i lirë që të paguajë kuotat. Dallimi është që ne paguajmë kuotat e partisë, kurse doktori paguan faturat e prostitutave. E ka thënë vetë”, tha Manjani.

Top Channel