Papa Francesku: Sfida më e madhe e kontinentit? Të kthehet në Nënën Europë

14/09/2015 12:05

“Sfida më e madhe e kontinentit është që të kthehet në Nënën Europë”. Kështu e shikon Papa Francesku çështjen e emigrantëve në një moment kur në Gjermani janë mbledhur të hënën ministrat e vendeve të unionit për të biseduar mbi ndarjen nëpër shtetet respektive të 160.000 emigrantëve, pas valës së rreth 500.000 prej tyre, zbarkuar në brigjet e Mesdheut kryesisht nga vendet e luftës.

Gjatë një interviste dhënë për një radio portugeze, kreu i Vatikanit u shpreh se me të drejtë, aty ku gjendet një vend i lirë, njerëzit kërkojnë ta plotësojnë. E njëjta gjë po ndodh me ardhjen e emigrantëve në Europë, shtoi ai, të cilët po vijnë të mbushin vendet bosh nga moslindja e fëmijëve.

E në çështjen e plakjes se kontinentit të vjetër, Papa Francesku solli në vëmendje edhe vendin tonë, duke thënë se Shqipëria më ka bërë përshtypje pasi atje mosha mesatare është 40-45 vjeç ashtu sikurse edhe Bosnje Hercegovina që thënë ndryshe janë vende të cilat u rindërtuan pas një lufte. Në Europë e mbyll Papa fjalën e tij, janë të pakta vendet që kane moshë mesatare të ulët dhe kjo gjë duhet të shikohet si shqetësim duke lënë të kuptohet se emigrantët falë lindjeve të mëdha do ta ndihmonin kontinentin plak të merrte veten.

I njëjti paralajmërim erdhi edhe nga një studim i Agjencisë Bloomberg javën që shkoi, i cili solli në vëmendje faktin se për të shpëtuar Europën nga një krizë ekonomiko-financiare, filluar nga fondi i pensioneve, deri në vitin 2060, duhet të pranoheshin 250 milion refugjatë.

Top Channel