PD: Mësuesit, në skaner politik. Në profesionalen e Beratit, i dënuari për korrupsion

14/09/2015 12:30

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të hënë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot arsimi shqiptar.

Në një komunikim me mediat, deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se, mësuesit po kalojnë në skanerin e dhunës qeveritare, që kërkon të zbulojë biografi politike, për të kryer shkarkime të reja masive e për të hapur vend për militantët politikë.

“Ne kemi denoncuar se si qeveria kërkon të marrë informacion për të gjithë stafin e shkollave, për prirjet e tyre politike. Sot, qindra mësues u gjendën befasisht të transferuar me përdhunë nga shkollat ku japin kontribut disavjeçarë, për t’u zevëndësuar me militantë e klientelë”, ka thënë Boçi.

Sipas tij, mësuesit u shantazhuan në zgjedhjet e fundit dhe u kërcënuan me vendin e punës në këmbim të votës për qeverinë, “e shkruar kjo e zezë mbi të bardhë në raportin e ODIHR”, ka vijuar Boçi.

Deputeti demokrat ka shtuar se edhe fëmijët sot ndodhen në kushte skandaloze ekonomike dhe në pamundësi për të blerë librat apo çantat e shkollës.

“Gjithashtu janë dhe me mijëra fëmijë në kampet e refugjatëve në Europë, të larguar nga vendi, sepse kjo qeveri u ka prerë shpresën dhe besimin për të ardhmen. Nuk ka asnjë invetim në infrastrukturën shkollore. S’ka shkolla të reja, s’ka laboratorë të rinj, nuk ka hapësira të reja për nxënësit”, ka shtuar Boçi.

Më tej ai ka denoncuar përmes disa dokumenteve të emëruarin e qeverisë si drejtor të shkollës së mesme profesionale “Kristo Isak”, në Berat.

“Me firmën e Ministrit Klosi vjen në këtë detyrë, më 1 shtator, Armelin Çili, i dënuar në vitin 2011 me 12 muaj për korrupsion. Armelin Çili është kapur dhe është provuar se ka abuzuar me ndihmën ekonomike në dhjetëra raste. Ai ka keqpërdorur këto para përmes një skeme vjedhjeje, duke bërë sikur ua jepte personave në nevojë, por që në fakt rezultonin se ishin jashtë shtetit. Kjo është një hajdutëri skandaloze dhe e papranueshme. E megjithatë, me rilindjen, ky person promovohet dhe bëhet drejtor i shkollës profesionale”, ka denoncuar Boçi.

“Nuk është kjo mënyra për të nisur një vit shkollor. Nuk është kjo mënyra që ka zgjedhur qeveria për këtë ngjarje të rëndësishme të shoqërisë tonë. Kjo është mënyra më e keqe, në dëm të arsimit, në dëm të aspiratës së nxënësve, në dëm të mundit dhe djersës së prindërve të këtij vendi që sakrifikojnë kaq shumë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, ka përfunduar deputeti i PD.

Top Channel