Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Dekriminalizimin iu deshën tre orë për të arritur pothuajse asgjë. Demokratët avancuan me vështirësi deri tek prezantimi i draftit që ndryshon Kushtetutën dhe ndërpret mandatin e çdo të zgjedhuri me rekorde kriminale.

“Ajo që është e sigurtë është që kriminelët as që duhet të qëndrojnë në institucione, as do të hyjnë në të ardhmen. Ky është objektiv për të cilin kemi vendosur kritere që kriminelët që sipas dozës së krimit t’i rrinë sa më larg administratës dhe institucioneve”, tha kreu i këtij Komisioni, Oerd Bylykbashi.

Mbledhja u zgjat gati tre orë për shkak të kërkesave të njëpasnjëshme proceduriale të socialistëve, të pasuara nga debate dhe replika mes palëve, nëse duhej ndjekur apo jo mënyra që propozonte mazhoranca; për shembull, për të bërë raport rreth raportit të Komisionit të Venecias sesi mund të bëhet dekriminalizimi në Shqipëri.

“Mazhoranca jonë e ka objektiv të saj miratimin e një kuadri rregullator ligjor brenda këtij sesioni, që do t’i japë zgjidhje kësaj çështje, por nuk mund të pranojë që, ose miratohet drafit siç na ka ardhur nga opozita, ose këtu s’ka ligj!”, deklaroi nënkryetari i Komisionit, Taulant Balla.

“Nisma ka shkuar në Kuvend dhe ka shkuar me vendosmërinë tonë të plotë politike ditën që hapej sesioni. Atë ditë dy deputetë më pak kishe. O duhet të kishe ti urgjencë të fikeshin dritat e gjithçkaje dhe të merreshe vetëm me dekriminalizimin, të thoje: shiko, ky vend nuk ka reformë tjetër, ka vetëm këtë. Nuk është çështja që berberi qeth pa kasë, as çamçakizi që del pa kasë. Informalitetin e paskemi këmbëkryq në Parlament. Ju vetëm dekriminalizimin që s’e keni me urgjencë. Keni thjeshtë mungesë vullneti politik”, iu përgjigj anëtari demokrat i Komisionit”, u përgjigj përfaqësuesi i PD-së në Komision, Gent Strazimiri.

Çështja tjetër proceduriale që mori edhe një orë tjetër diskutimi ishte nëse komisioni e ka tagrin të propozojë ndryshime kushtetuese. Socialistët mbrojtën pikëpamjen se komisioni nuk e kishte këtë të drejtë.

“Peng këtë ligj nuk e merrni dot! Rrini, ikni, bëni procedurë. Sot PD ka nisur mbledhjen me qëllim për të diskutuar nenin 1. Kemi 1 orë e gjysmë që nuk kemi filluar diskutimin e nenit 1”, deklaroi anëtari demokrat i Komisionit, Eduart Halimi.

“Ti kërkon të fillojmë me nenin 1, kur produkti që do të nxjerrë në fund ky Komision kërkohet të futet në kalendarin 3-javor të Kuvendit. Ju kërkoni t’i qëndroni edhe asaj nisme, edhe kësaj pune këtu në Komision, do të thotë që ka një produkt të paracaktuar, që do të thotë se nuk keni pse kërkoni konsensus dhe produkt të përbashkët në këtë Komision”, replikoi anëtari socialist, Ulsi Manja.

Pavarësisht debateve të gjata, pas prezantimit të draftiti nga demokratët, socialistët deklaruan se do të sillnin propozimet e tyre ligjore për çështjen e dekriminalizimit….dhe nisur nga deklarimet e palëve, vazhdimi nuk duket i vështirë të merret  me mend.

“Jam shumë i sigurtë që në këtë Komision nuk do të gjendet marrëveshje që të dalim me një draft të përbashkët, sado që të përpiqemi”, tha Taulant Balla.

“Mos merrni rolin e Penelopës këtu, sepse është model shumë i vjetër dhe shumë joserioz”, replikoi Gent Strazimiri.

Top Channel