Dy vitet e ardhshëm, më të nxehtët

14/09/2015 14:25

Dy vitet e ardhshme mund të jenë më të nxehtët të regjistruar ndonjëherë në glob, thonë kërkuesit e Zyrës Britanike të Meteorologjisë. Kërkuesit kanë paralajmëruar se do të ketë ndryshime të mëdha në sistemin klimaterik me gazrat që shkaktojnë efektin serrë që rrisin ndikimin në trendet natyrore.

Studimet tregojnë se një fenomen akoma më i fuqishëm “El Ninjo” po shihet në Paqësor dhe kjo pritet të rrisë nxehtësinë në të gjithë botën. Por, ndërkohë, vera në Evropë mund të jetë paksa më e freskët për disa kohë, ndërsa pjesa tjetër e globit, ngrohet.

Shkencëtarët konfirmojnë se në vitin 2015, temperatura mesatara në tokë iu afrua niveleve rekord. Sipas zyrtarëve britanikë, faktorët natyrorë kontribuojnë në temperaturat globale çdo vit, por temperaturat shumë të larta të këtij viti tregojnë pasojat e vazhdueshme të gazrave që shkaktojnë efektin serrë, të emetuara këto nga njeriu.

Me shumë gjasa, edhe viti i ardhshëm do të jetë po aq i nxehtë sa viti 2015 dhe kjo tregon se klima vazhdon të ndryshojë. E duket se në nivel global, vitet 2014, 2015 dhe 2016 do të jenë më të nxehtët të regjistruar ndonjëherë. Shkencëtarët thonë se kombinimi i efektit në rritje të dioksidit të karbonit, i shumëfishuar nga tendencat natyrore afatgjata në oqeane, e bëjnë sistemin klimaterik në dukje shumë interesant.

Ata dyshojnë se ndryshime të mëdha mund të kenë nisur.

Top Channel