Bën 15 vite burg për një akuzë të sajuar nga bashkëshortja

14/09/2015 00:00

“Ajo që unë dhe im vëlla deklaruam përpara gjykatës kundër babait tonë, ishte e gjitha një sajesë”.

Një sajesë që i kushtoi 15 vite burg babait të tyre. Në Itali dy të rinj, Michele 21 vjeç dhe Gabriele 24, rrëfyen pas 15 vitesh të vërtetën e një procesi gjyqësor që nisi në Sardenja edhe u mbyll në Breshia.

Babai i tyre, sot 46 vjeç, ishte viktimë e skenarit të bashkëshortes së tij, e cila thuri gjithçka për ta larguar nga banesa. Në skenar përfshiu edhe dy fëmijët e vet, në atë kohë 9 dhe 12 vjeç. Ajo u mbushi mendjen atyre që të deklaronin para gjykatës se ishin abuzuar e dhunuar nga babai i tyre për vite me radhë, si në Sardenjë ashtu edhe në Breshia.

“Për të hequr qafe babain, nëna jonë nisi të na fryjë me gënjeshtra, me gjëra që nuk ishin të vërteta, që nuk kishin ndodhur asnjëherë, gjëra që im atë as i ka bërë dhe as do të mund t’i bënte ndonjëherë kundrejt nesh”, thotë sot Gabriele.

Në dritën e deklaratave të reja, avokati i 46-vjeçarit të dënuar padrejtësisht është vënë në lëvizje për të rihapur procesin dhe për të liruar klientin e tij. Ai shprehet i bindur se do t’ja dalë mbanë pasi provat e vetme mbi bazën e të cilave u dënua ishin dy dëshmitë e fëmijëve të tij dhe asgjë tjetër.

Top Channel