Prizren, pezullohet drejtori i policisë

14/09/2015 17:30

Inspektorati Policor i Kosovës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi si dhe udhëheqësin e sektorit të hetimeve të vrasjeve në të njëjtën drejtori rajonale.

Pa dhënë ndonjë shpjegim në detaje për motivet e pezullimit, Inspektorati Policor ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se dy zyrtarët policorë janë pezulluar pasi Inspektorati ka pranuar disa informacione dhe ankesa nga qytetarët për ata.

“Inspektorati Policor asnjëherë nuk paragjykon vendimin final të organeve të drejtësisë, bazuar në parimin e supozimit të pafajësisë. Inspektorati Policor garanton qytetarët e vendit se çdo herë do të angazhohet për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, por edhe të ruajtjes me vendosmëri të besueshmërisë së Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Jo zyrtarisht mësohet se pezullimeve i dy zyrtarëve policorë ka të bëjë me vrasjen e një qytetari para pak ditësh në qytetin e Prizrenit.

Top Channel