Mihajloviç lëvdon Shqipërinë

14/09/2015 00:00

Sinisa Mihajloviç është bërë i njohur tashmë për disiplinën dhe rregullat e forta që kërkon të respektohen nga gjithë lojtarët e tij.

Pikërisht për këtë është vënë në qendër të kritikave të mediave, ndoshta edhe për shkakun se Milani i tij ka marrë vetëm tre pikë nga 9 të mundshmet në tri javët e parë të Serisë A.

Por, për Mihajloviç disiplina është elementi thelbësor dhe për këtë sjell si shembull kombëtaren shqiptare, të cilën në një farë mënyre e lëvdon për ecurinë në këto eliminatore.

“Rregullat janë thelbësore. Pa rregull talenti nuk vlen. Ne serbët kemi patur gjithmonë përfaqësuese të madhe dhe me talente, por nuk kemi fituar kurrë, sepse secili bënte atë që donte. Jo rastësisht sot Shqipëria ka 11 pikë në grup dhe Serbia më pak”, tha ai në përfundim të takimit Inter-Milan.

Kritikat e Mihajloviç për Serbinë vijnë në prag të ndeshjes së 8 tetorit në Elbasan Arena, ku kuqezinjtë do të përballen me serbët në një takim vendimtar për kualifikimin direkt në Euro 2016.

Një fitore e skuadrës së Gianni de Biasit e kombinuar me humbjen e Danimarkës në fushën e Portugalisë, do t’i dhuronte Shqipërisë kualifikimin historik në një eveniment madhor, madje një ndeshje përpara mbylljes së kualifikueseve.

Top Channel