Hungaria mbyll kufirin me Serbinë, vendet e BE-së përballë krizës së azilantëve

14/09/2015 18:10

Hungaria ka përshkallëzuar masat kundër fluksit të emigrantëve sirianë që shfrytëzojnë territorin e saj për t’u hedhur më pas në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Budapesti ka mbyllur pikën kufitare Horgosh 2 në kufi me Serbinë duke bllokuar mijëra sirianë në territorin serb.

Bllokimi mbërrin në një kohë ku ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian po mbajnë bisedime në Bruksel për të përballuar krizën.

Më herët, Gjermania njoftoi përforcimin e kontrolleve në kufirin me Austrinë, ndërsa kontrolle më të ashpra kanë paralajmëruar edhe vende të tjera të BE-së, si Holanda, vetë Austria dhe Sllovakia.

Në tryezën e bisedimeve të ministrave të Brendshëm ndodhet edhe plani i muajit maj për shpërndarjen e 40 mijë azilkërkuesve nga Siria dhe Eritrea. Ky plan pritet të hidhet në votim nga ministrat e vendeve të BE-së, në një kohë kur shumë vende kanë shprehur pakënaqësitë kundër tij, madje duke dalë edhe hapur kundër kuotave të përcaktuar në të.

Danimarka është njëra prej këtyre vendeve. Qeveria daneze tha se nuk do të pranojë më asnjë azilkërkues duke pretenduar se ka plotësuar kuotat e saj.

Në fakt, plani i muajit maj është ngritur mbi 40 mijë azilkërkues, por muajt e verës sollën në BE një fluks të paprecedentë, duke e çuar këtë numër në më shumë se 160 mijë aktualisht e që vetëm rritet.

Top Channel