Bajraktari kundër Ristanit: Në detyrë me riktheu ligji, jo Tahiri

14/09/2015 18:30

Arben Ristani nuk ia përmendi emrin në deklaratën për shtyp të dhënë më herët gjatë së hënës, por la të kuptohej se për kë bëhej fjalë për të hedhur akuza ndaj ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

“Rikthimi në punë i shefit të Interpolit, i cili u nis të bëhej kurban për të marrë përgjegjësinë me vete dëshmon se kërkesa e Interpolit nuk është fshehur nga ai, por është fshehur nga ministri i Brendshëm”, deklaroi Ristani.

Bëhej fjalë për Artan Bajraktarin, njeriun i cili është rikthyer në pozicionin që mbante. Ai ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë për mediet, duke shpjeguar se rikthimi i tij në detyrë nuk është një vendim i politikës, por i gjykatave të shtetit shqiptar.

“Shpreh jo pak keqardhje, që një përfaqësues i lartë i Partisë kryesore të opozitës të njollosë emrin tim, duke deklaruar në publik fakte tërësisht të pavërteta; duke treguar njëkohësisht mungesë respekti të hapur për vendimet e Gjyqësorit, respektimi i të cilave nuk pranon komente politike. Është pikërisht nëpërmjet 2 vendimeve të një pas njëshme të gjykatave të shtetit shqiptar, respektivisht Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatës së Apelit të Rethit Gjyqësor Tiranë, që unë jam deklaruar i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura nga Prokuroria. Thënë me fjalë të tjera, janë po të njejtët vendime gjyqësoretë cilët, krahas deklarimit të ndalimit tim si të paligjshëm, pushimit të procedimit penal ndaj meje, garantojnë edhe kthimin tim në pozicionin e mëparshëm të punës”, thotë Bajraktari.

Në fund të deklaratës, Artan Bajraktari kërkon që politika të qëndrojë larg Policisë së Shtetit.

“Unë jam punonjës i Policisë së Shtetit dhe punoj për sigurinë e vendit tim. Politika të bëjë politikë me politikën, jo me punonjësit e Policisë”, thotë ai.

Top Channel