Fjalimet frymëzuese përpara të rinjve

14/09/2015 00:00

Gjithmonë, në një nisje të re kemi nevojë për një motiv, model, frymëzim, që të na çojë përpara. Ndaj, shpesh dita e parë e shkollës duket si një rutinë e zakonshme, ndonjëherë edhe me eufori brenda, por përtej kësaj dite presin ditë të gjata mundi.

Në ditë të shënuara, që kanë të bëjnë me edukimin dhe formimin e brezave të rinj, në botë është ndërtuar një traditë, ku emrat që kanë korrur sukses në rrugëtimin e tyre, rikthehen nëpër auditorë për të frymëzuar të rinjtë me modelet e tyre.

Fjalimi i Steve Jobs, mbajtur në “Stanford University” në vitin 2005, është nga më mbresëlënësit. Ai, përpara një auditori të rinjsh të sapodiplomuar, tha:

“Koha juaj është e kufizuar, prandaj mos lejoni zhurmën e mendimeve të të tjerëve, që të mbysë zërin tuaj të brendshëm. Dhe, më e rëndësishme, të keni guximin për të ndjekur zemrën tuaj e intuitën tuaj. Ato e dinë disi, atë që ju me të vërtetë dëshironi të bëheni. Çdo gjë tjetër është dytësore”.

Një vit më parë, drejtoresha e Facebook-ut, Sheryl Sandberg zgjodhi të mbajë një fjalim në Harvard, për të inkurajuar audiencën me modelin e saj të suksesshëm. Ndër të tjera, ajo u tha të rinjve se, ata kishin mundësi të bënin diçka më shumë sesa Mark Zuckerberg, të diplomoheshin në Harvard, gjë të cilën krijuesi i Facebook-ut nuk arriti ta çojë deri në fund.

Kur Oprah Ëinfrey iu drejtua studentëve të Harvardit në vitin 2013, shpresa e saj më e madhe ishte që të shërbente si burim frymëzimi. Ajo ka realizuar mbi 35 mijë intervista dhe – sipas saj, – sapo kamerat fiken, të gjithë bëjnë një pyetje: a shkoi çdo gjë mirë? E kanë pyetur presidentë, heronj, shtëpiake, viktima e artistë. Për Oprah, më e rëndësishmja për të gjithë njerëzit, është që të bëhen të vlefshëm, të kuptueshëm.

Meryl Streep ka një listë të pafundme çmimesh e suksesesh në karrierë, por kur u ftua për të mbajtur një fjalim para studentëve të universitetit të Kolumbias, në vitin 2010, tha se të gjitha ato vlerësime kanë shumë pak peshë në lumturinë e saj personale. “Ju thjesht duhet të bëni krenarë prindërit tuaj”, iu tha aktorja të sapodiplomuarve.

“Jeta nuk ndodh te ju, ajo ndodh për ju”. Me këto fjalë iu drejtua Jim Carrey, studentëve të Universitetit të Maharishit, duke iu thënë se frika do fillojë të bëhet një lojtar në jetën e tyre, por ishin ata që duhej ta përcaktonin sesa do të ndikonte ajo.

Natalie Portman u krikthye në auditorët e Universitetit të Harvardit, 13 vite pas diplomimit. Duke folur për karrierën e suksesshme, ajo tha se “nëse do i kisha njohur limitet e mia, nuk do të kisha marrë përsipër asgjë. Por, duke rrezikuar ia kam dalë në aspektin personal dhe profesional”.

Top Channel