Dikur edhe sot, ja çfarë ka ndryshuar

14/09/2015 00:00

Nëse do të rikthehemi pas në kohë, do të shohim se modeli, që prindërit ndiqnin me fëmijët e tyre adoleshentë ka qenë shumë larg të sotmit.

Nëse një adoleshent binte në dashuri, kjo konsiderohej një shthurje, sidomos për vajzat. Madje, biseda të tilla për dramat sentimentale, as që mendohej të diskutoheshin me prindërit. Gjithçka, një adoleshent e kalonte vetë.

Kjo mbyllte në vetvete të rinjtë dhe rriste distancën e komunikimit midis prindërve e adoleshentëve. Sepse prindi i asaj kohe nuk mund ta pranonte kurrsesi, që edhe pse adoleshent, ai ose ajo, të kishte ndjenja, ose të kishte rënë në dashuri.

Autoritarë dhe censurues, prindërit vendosnin për një pjesë të mirë të së ardhmes së fëmijëve të tyre adoleshentë, duke marrë vendime edhe për historitë e tyre sentimentale.

Megjithatë, në ditët e sotme, te prindërit vihet re një lloj mirëkuptmi më i madh, kur bëhet fjalë për të dëgjuar historitë e fëmijëve të tyre adoleshentë, madje investojnë shumë kohë për t’u dhënë këshilla fëmijëve adoleshentë, kur përjetojnë ndonjë lëndim shpirtëror.

Sot, prindërit shfaqen të gatshëm për të dëgjuar rrëfimet e fëmijëve të tyre. Ndaj, mesa duket, ka ardhur koha që indiferentizmi ndaj adoleshentëve, përsa u përket historive të tyre të zemrës, ka marrë fund.

Top Channel