Shtatori i munguar i Paulos

14/09/2015 00:00

Paulo Skënderi, sot do të ndiente ethet dhe emocionet e një maturanti të gjimnazit “Dervish Hekali”, në qytezën e vogël të Ballshit. Por prej 4 vitesh, i riu i nis dhe i ngrys ditët e tij në një shtrat, ku një “Play Station” i bërë dhuratë është shndërruar në mikun e tij më të mirë.

Prej 4 vitesh, ai nuk mund të ecë lirisht.

“Ishte koha e darkës duke ecur. Isha 13 vjeç. Në shkollë kam qenë mirë, por thyeva këmbën dhe nuk ika më dot”, thotë Paulo.

Kjo lloj jetese, e kthyer tashmë në rutinë për Paulon, nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Kam qëndruar në shtëpi. Nuk kam lëvizur fare. Vetëm mamin, babin dhe motrën shikoj përditë”, shprehet më tej Paulo.

Pamundësia për të mos qenë i ulur në bankat e shkollës, këtë të hënë, e trishton pa masë.

“Më mungojnë shokët, shoqet, mesueset dhe të gjithë të tjerët. A do të doja të shkoja në shkollë këtë të hënë? Po, por nuk mundem të iki”, deklaron Paulo.

E ëma, Ëngjëllushja ndihet e pafuqishme përpara kësaj situate. Familja nuk ka mundësi ta përballojë operacionin prej 3 mijë eurosh, që do ta rikthente të birin në normalitet.

“Vjen e hëna, e në vend që djali im të gëzonte, të bridhte me vrap për të marrë çantën, sot ai është me kokën mënjanë nga këmba, që theu 4 vite më parë. S’kam pasur mundësi ta ndjek, që djali të shërohej. Paulo ka qenë i pari i shkollës. Gëzohesha kur merrte dhe bënte detyrat pa i thënë asgjë unë”, rrëfen e ëma e tij.

Paulo do të donte të lexonte, por edhe kjo është e pamundur.

“Nuk kam lekë t’i blej libra Paulos, kushtojnë shtrenjtë. Por nuk dua që ai të vuajë, siç po vuaj unë”, vijon më tej e ëma.

Për fat të mirë, shtrati nuk ia ka zbehur shpresat dhe optimizmin Paulos. “E di që një ditë do të rikthehem, por sa më shpejtë të vijë ajo ditë, më mirë do të jetë”, tha ai.

Top Channel