Historia absurde e shtetit shqiptar

14/09/2015 00:00

Kanë 45 vite që presin, 45 vite që nga koha kur u detyruan të largohen nga tokat e tyre, që u përmbytën nga HEC-i i Vaut të Dejës. Që nga ajo kohë, askush nuk u kujtua më për ta, duke i lënë në një jetesë, në kushte edhe sot ekstreme.

Historia e këtij komuniteti nis në vitet ’70, për disa edhe pak më parë. Ishte koha kur, si pasojë e ndërtimit të HEC-it të Vaut të Dejës, u vendos zhvendosja e një sërë fshatrash, që do të përmbyteshin. Liseni, Mlloja, Vjerdha, Qyrsaqi, Gomsiqja, etj., humbën nën ujin e liqenit.

Banorët u sollën në atë kohë në kapanonet e ndërtuara për puntorët, në Laç të Vaut të Dejës. Premtimi ishte se, ky sistemim do të ishte i përkohshëm dhe se, në pak kohë ata do të lëviznin drejt një zone, që do t’u lejonte të jetonin në mënyrë të denjë.

Por përtej fjalëve, qeverive dhe viteve, që u bënë plot 45, asgjë nuk ndryshoi. Banorët, edhe sot jetojnë në të njëjtin vend, në të njëjtat kapanone të lodhura, mbuluar me eternitin kanceroz, që kudo në botë është i ndaluar, ndërsa këtu mban nën vete mëse 2 mijë banorë.

Të ecësh përmes këtyre rrugicave, që flasin me gjuhën e skamjes, është më shumë se ironike. Banorët, që sot dergjen këtu, me letra nuk janë të varfër, përkundrazi. Të gjithë kanë lënë atje tej, nën ujë, kullat dy a trikatëshe, e bashkë me to edhe qindra e qindra dynymë tokë, të pasuara brez pas brezi nga paraardhësit e tyre.

Ajo zonë njihet historikisht si një ndër më pjelloret në vend, duke pasur parasysh se lugina e lumit Drin prodhonte gjithçka. E megjithatë, ata sot nuk gëzojnë asgjë, asnjë lloj kompensimi, apo diçka tjetër, veç këtij vendi, që duket si një geto në vendet e botës së tretë.

“Me letra, siç babai na ka thënë, ne kemi rreth 48 dynymë tokë”, thotë Xhelal Geci.

Është e vështirë të kuptosh, sesi këta njerëz munden të jetojnë në këtë mënyrë, në një realitet më shumë se të pamundur.

“Po ku rrihet këtu. Jemi mos më keq. Kur fryn erë, mushkonjat na hyjnë brenda, të tëra të zezat brenda i kemi. Ne jetojmë si shtazë”, tha Sadije Tereziu.

Jetët e tyre janë njësoj. Një e shkuar, një e tashme… Ata jetojnë këtu, duke u mbështetur veç te njëri-tjetri, e duke pritur me shpresën se e ardhmja mund e duhet të jetë ndryshe.

“Këtu jetojmë tri kurora, në tri dhoma. Rafti ka 30 vite, shikojeni vetë se ku jetojmë. Gjendja është skandaloze. Dyert janë 50-vjeçare, siç të thashë. Unë jetoj me familjen, veti i katërt këtu. Njëra është për plakun me atë. Kam edhe dhomë për vëllain me gjithë nusen, që është veti i katërt. Ai nesër vjen e thotë dua dhomën time”, tha Rit Pjetri.

“Shteti nuk më ka dhënë asgjë. As i pari, as ky, asnjë send. Madje, edhe dritat e ujin të gjithë vijnë t’i marrin nga këtu”, tha Jak Pjetri.

Për të mos iu shkëputur absurdit shqiptar dhe funksionimit të çuditshëm të shtetit, mjafton të shikosh një tjetër dokument. Në vitin 1994, qeveria e drejtuar në atë kohë nga kryeministri Aleksandër Meksi, përmes një vendimi me numër 513 ka vendosur në dispozicion të familjeve të përmbytura tokën në fshatin Cas të Velipojës. E po ashtu, edhe Këshilli i Rrethit Shkodër, në vitin 1995 i ka dërguar Bashkisë së Vaut të Dejës sipërfaqen e tokës së vënë në dispozicion: 98,1 hektarë.

Deri këtu, gjithçka në rregull, nëse nuk do të ishte për faktin se vendimi nuk është zbatuar kurrë. Sado e çuditshme të duket, letrat flenë diku në sirtaret e arkivave, duke u shpërfillur tërësisht deri më sot.

“Ky është një problem i madh. Neve nuk na jepet asnjë lloj e drejte tjetër pa zgjidhur problemin fizikisht të asaj pjese, që na e kanë dhënë me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në qoftë se shteti nuk mundet të na japë tokën, atëherë të na paguajë paratë. Kërkojmë që të lehtësohemi me kredi bankare, që t’i bëjmë ato shtëpi atje. Nëse shteti nuk e ka të mundshme, atëherë le të gjejë një zgjidhje”, tha Arben Shkoza.

“Nuk na kanë dhënë asnjë send morè. Të paktën të mundeshim të zinim peshk, por as për të zënë peshk nuk të lë kush”, tha Ndoc Zef Agostini.

“Më kanë hequr ndihmën e përkrahjes sociale. Më kanë poshtëruar si gjithë të përmbyturit e asaj zone. Nuk kam asnjë të ardhme”, tha Nard Lekaj.

Papunësia në këto lagje është në nivelet më të larta. Ata janë banorët e një zone të përmbytur për të ngritur HEC-in, por askush nuk i afron për t’u dhënë mundësinë e një posti, qoftë edhe minimal në strukturat e tij.

“Ngelëm duke marr borxhe për të larë borxhet. Nga zona e përmbytur nuk i ke as 10 vetë që punojnë sot në hidrocentralin e ngritur”, tha një tjetër banor.

“Jam veti i 6 dhe të gjithë pa punë, pa asnjë send. As shpërblim, as tokë, e asgjë tjetër nuk na ka dhënë ky shtet. Ne kërkojmë të drejtën tonë, nuk kemi punë me qeveritë”, tha Edmir Geci.

“Sot, nga ana ekonomike ekziston një gjendje tepër e varfër. Një pjesë e mirë për arsye se nuk ka punë”, tha Ndrek Nikaj.

Ndjesinë për tokën nuk e kanë humbur, edhe pse nuk kanë. Disa prej tyre, cepash përpiqen të mbjellin gjëra të vogla. Ndoshta thjesht për të pasur atë ndjesinë e së shkuarës së mohuar.

“Këtu jemi pa punë, pa asgjë. Duke vdekur për bukën e gojës”, tha Sadik Muska.

Nëse i pyet për kërkesa apo letra, ato janë aq shumë sa është e vështirë t’i numërosh. Nisin pas rënies së sistemit komunist, e vijojnë edhe sot pa marrë asnjë përgjigje.

“Ne kemi dërguar me qindra herë letra. Kemi bërë të tilla që nga pushteti lokal, deri te kryeministrat e presidentët e të gjitha kohërave. Nga koha e Berishës, Meksit, Fatos Nanos, deri te Berisha e tashmë Edi Rama. Por, përgjigjet kanë qenë pothuajse negative, se nuk është realizuar asnjë nga ato pika që kërkojmë ne”, tha Arif Geci.

Banorët e përmbytur nuk kërkojnë asgjë joligjore, përkundrazi konform ligjeve të marrin atë që u takon. Dikush, më në fund duhet të vendosë, t’ua japë të drejtën këtij komuniteti zemërmadh, punëtor e të mirë, apo t’i lënë të vdesin si deri më sot, nën kancerin e eternitit.

Top Channel