Festa e Pezës, aktivitete festive edhe në Tiranë

14/09/2015 20:00

Në prag të nisjes së festimeve treditore në përkujtim të Konferencës së Pezës,‎ nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku bën një pasqyrë të aktiviteteve që do mbahen gjatë kësaj feste, ku tema kryesore do të jetë familja.

“I gjithë parku i Pezës tashmë është rikonstruktuar, është rindërtuar, shtruar e pastruar. Është bërë gati për të gjitha ditët e festës, si dhe e cila si temë të përgjithshme ka familjen. Është një festë që fton të gjithë familjet të jenë në Pezë si pjesë e këtyre festimeve dhe përkujtimeve. Do të ketë diçka për të gjitha moshat, duke nisur nga fëmijët, me animacione dhe aktivitete kulturore për ta; për më të rinjtë do të ketë muzikë gjatë disa momenteve të caktuara; e gjithashtu për njerëzit më në moshë do të ketë muzikë lirike e me motive përkujtimore, veçanërisht për këtë rast”, u shpreh nënkryetari Mazniku.

Nënkryetari Mazniku është ndalur dhe në aktivitete të tjera festive, të cilat do të përfshijnë tashmë Tiranën e madhe, e për të cilat bashkia është duke hartuar një kalendar.

“Kemi nisur të përgatisim një kalendar të ngjeshur me aktivitete, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ato që janë festa tradicionale të këtyre zonave. Kemi tashmë një plan për Shëngjergjin, pak ditë më pas. Duhet të jenë të mëdha, sepse s’do të jenë më festa të vetëm një komune, por do të bëhen festa të të gjithë Tiranës, që mbahen në atë ish-komunë”, deklaroi Arbjan Mazniku.

Rigjallërimi i aktiviteteve festive në kryeqytet ka përfshirë edhe bizneset, me aktivitete të ndryshme që janë organizuar në Tiranë, e ku‎ 20 për qind të të ardhurave janë adresuar për gjelbërimin e Tiranës.

Top Channel