“Charlie Hebdo” godet sërish, tashmë me sirianin e mbytur

14/09/2015 00:00

Revista satirike franceze, “Charlie Hebdo” ka guxuar sërish me penën e saj, pasi seria e radhës mban në kopertinë karikaturën e fëmijës së mbytur në brigjet e Bodrumit të Turqisë.

Vetëm pak ditë pasi ishin të shumtë ata, që u solidarizuan me pamjen e trishtë që përcollën ato imazhe, stafi i redaksisë së “Charlie Hebdo” vendosi ta ironizojë vdekjen e të miturit. Revista ka realizuar dy karikatura lidhur me të. E para kishte në qendër fëmijën e kthyer përmbys me mbishkrimin “Sa afër qëllimit të tij. Merr dy fëmijë, paguaj një!”.

Ndërsa karikatura tjetër shfaqte vizatimin e Krishtit ngjitur me trupin e fëmijës së mbytur, shoqëruar me komentin: “Prova se Europa është e krishterë. Të krishterët ecin mbi ujë, ndërsa fëmijët myslimanë mbyten”.

Karikaturat kanë ngjallur shumë debate në rrjetet sociale, shumë prej të cilave kanë kritikuar “Charlie Hebdo” për faktin se përdorën vdekjen e Aylan me qëllime fyese. Por, ka pasur edhe nga ata, që mendojnë se revista satirike ka ironizuar Perëndimin për qëndrimin e çështjes së refugjatëve.

Vizatimet mbajnë firmën e Laurent Riss, i cili u shpëtoi plumbave të sulmit terrorist, që iu bë redaksisë së “Charlie Hebdo” 8 muaj më parë, nga i cili 12 veta u vranë si pasojë e zemërimit të terroristëve të ISIS për karikaturën e Profetit Muhamed.

Top Channel