Stina e nxehtë e politikës. Minxhozi: Dekriminalizimi, një manipulim i madh

15/09/2015 00:36

Skënder Minxhozi, kryeredaktori i revistës “Java”, ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur mbi aktualitetin politik të ditës, krimin, korrupsionin, dekriminalizimin dhe mbi raportin e OSBE-së.

Pandi Gjata: Kryefjalë e këtij zezoni të ri të politikës që ka nisur është krimi, droga, korrupsioni e dekriminalizimi. Kemi një deputet që ka dorëzuar mandatin e një tjetër të arrestuar. Si i sheh këto zhvillime dinamike dhe ndoshta edhe të paparashikuara? A po shkojmë drejt asaj që kanë kërkuar muaj më parë ndërkombëtarët, pastrimin e skemës politike apo jemi ende larg?

Skënder Minxhozi: Ky enumeracion që bëre ti është i saktë. Ka një listë fenomenesh të mbarsura gjatë verës dhe para saj, në sesionin paraardhës të Parlamentit, me një luftë politike, e cila shpesh është e bazuar mbi thashetheme, mbi fyerje dhe mbi gjuhën e ashpër. Pritej që shtatori të fillonte me këtë regjistër zëri dhe tonaliteti. Nëse numëron atë që ka ndodhur nga fillimi i sezonit vjeshtor të politikës ngjarjet janë shumë, të rënda dhe të bujshme, arrestime deputetësh, largime të të tjerëve. Ndërkohë, procesi i dekriminalizimit nuk po ndodh. Unë mendoj që është një zgjatim i asaj që ne pamë në fund të sezonit të shkuar. Nuk është bërë hataja, klasa politike shqiptare jeton shpesh me spektaklin, me shprehjet e skajshme, me akuzat e fryra, me përbetimet që do të bëjë këtë apo atë. Kemi pasur një paralajmërim të opozitës për një dallgë të madhe protestash, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Nëse shohim nga njëra anë listën reale të ngjarjeve dhe nga ana tjetër konsumin e madh të fjalëve dhe të tonalitetit të lartë, unë besoj se lista e parë është shumë më e shfryrë sesa e dyta. Unë besoj se skena kryesore e interpretimit ka ikur nga Teatri Kombëtar dhe është spostuar në Parlament.

Pandi Gjata: Në Parlament ka nisur një dikskutim mbi dekriminalizimin. Patëm një mbledhje të parë të Komisionit për këtë sesion të Parlamentit, kemi draftin e propozuar nga opozita, maxhoranca thotë se do të ketë draftin e vet. Edhe pse të gjitha kanë kryefjalë dekriminalizimin, palët janë me qëndrime të kundërta, por se cili do të jetë fundi kjo mbetet për t’u parë. A mendoni se do të kemi një ligj të miratuar?

Skënder Minxhozi: Termi dekriminalizim ka një sens pezhorativ të panevojshëm dhe fjala krim ka një konsum dhe inflacion të madh në jetën tonë politike. Nëse dëgjon politikanët, këtë fjalë e përdorin me dhe pa vend, por më shumë është kjo e dyta. Ajo që ndodh me pastrimin e politikës shqiptare është një manipulim i madh; ky është një proces që futet në filtrat e politikës së ditës dhe prej andej nuk del kurrë i pastër, por gjithmonë i shtrembëruar e i përdorur. U zhvilluan zgjedhjet lokale dhe partitë politike sërish nuk i pastruan listat e tyre të kandidatëve nga ata që përfliteshin se ishin kandidatë ose janë sot fitues me të shkuara të dyshimta. Për fat të keq këto personazhe, që siç thoshte sot një deputet i mazhorancës: “Ne i thirrëm për t’u mbrojtur nga vjedhja e votave nga ana e Berishës”. Dhe ky është një justifikim deri diku i kuptueshëm, por jo i pranueshëm. Pra, këta personazhe ti i shfrytëzon në ditën e zgjedhjeve dhe pastaj do të duhet t’i durosh gjatë gjithë mandatit. Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit dhe urojmë që të mos ketë episode si ai i deputetit nga Laçi, i cili shkaktoi një incident të rëndë me armë dhe që sot është i arrestuar. Ky proces po konsumohet në mënyrë hipokrite në sallat e politikës, e njëjta gjë ndodh edhe më poshtë. Unë kam një koncept për dekriminalizimin. Nuk bëhet fjalë që ne të dekriminalizojmë sektorë të caktuar të jetës politike dhe asaj publike e institucionale. Nëse ne do të dekriminalizojmë shoqërinë shqiptare, elitat e saj, do të duhet ta bëjmë këtë në mënyrë të thellë dhe gjithëpërfshirëse. Unë nuk mund të besoj sinqeritetin e një politikani, i cili mbart mbi vete një akuzë më shumë se 200 milionë euro dhe del çdo ditë duke thënë të largohen ata që kanë bërë krim. Në Shqipëri nuk është bërë asnjëherë një pastrim i sinqertë i atyre që kanë pasur ose kanë flirtuar me krimin në një moment të karrierave të tyre dhe kjo ka ardhur sepse sistemi ynë i drejtësisë ka qenë i nënshtruar.

Pandi Gjata: Një tjetër çështje e nxehtë e këtyre ditëve, e cila ka shkaktuar një tërmet në politik është edhe raporti konfidencial i brendshëm i OSBE-së, ku përmenden shumë politikanë, por tre prej tyre janë Meta, Rama dhe Berisha. A mendoni se do të ketë ndikim në zhvillimet politike të ditës?

Skënder Minxhozi: Kur në Parlament thonë për procedurë, unë do të nënvijëzoja një gjë që më habit. Ne jemi anëtarë të OSBE-së, pra jemi vend kontribues. OSBE-ja ka këtu disa target kryesorë të punës së saj: zgjedhjet, lirinë e shprehjes, sigurinë. Këto janë koncepte që organizata i ka që kur ajo është krijuar dhe si e tillë unë doja që kjo organizatë të merret me informacione dhe qëndrime zyrtare dhe jo me koleksione thashethemesh, të cilat më vonë krijojnë probleme po aq sa edhe raportet zyrtare. Ne OSBE-në do të duhet ta dëgjojmë për atë që thotë zyrtarisht dhe jo t’i durojmë kostot që krijojnë informacionet që mbledh nëpër internet dhe që pastaj kthehen në barut për topa për median dhe për politikën. Unë e kuptoj edhe letrën e fundit që kishte shkruan ish-kryeministri Berisha, e cila parimisht ka një sens të drejtë. Në radhë të parë, ti si organizatë nuk duhet të mbledhësh informacione të tilla dhe të lejosh që këto informacione të filtrojnë. Pasi ky proces më vonë ty ta bën të pamundur këtë organizatë, që ti të dalësh e të thuash: Më falni se ndodhi. Tani ndodhemi në situata që na takon të grindemi dhe të debatojmë për thashetheme. Problemi është nëse ka kjo organizatë ide konkrete, qëndrime zyrtare, mbi këtë listë personash apo vë një nëpunës të mbledh çfarë gjen në internet dhe pastaj t’i atribuohet organizatës si qëndrim gjysmëzyrtar. Këto kosto mua nuk më pëlqejnë sepse OSBE-ja ka krijuar zyrtarisht kosto të tjera siç ka dështuar, së bashku me klasën politike shqiptare, 25 vjet në proceset elektorale.

Pandi Gjata: Do të doja nga një batutë se si e kanë nisur Rama dhe Meta gjysmën e dytë të këtij mandati dhe se si e ka nisur Basha këtë sesion opozitar.

Skënder Minxhozi: Siç e thanë edhe vetë, “Rama dhe Meta janë larë në një det”. Deri në hapje të sezonit politik komunikimi ka qenë zero. Shprehja e Metës që unë citova tregon që mes tyre ka një problem, ka një pakënaqësi. Ne pamë që sapo filloi sezoni politik, të dy bashkë u ndodhën përballë nevojës që të takoheshin sepse ndodhi ngjarja “Prenga”, si dhe akuzat ndaj Ilir Metës në lidhje me CEZ-in. Ky moment takimi ne na jep të kuptojmë se ajo ftohje gjatë verës është shumë e vogël në krahasim me interesat e mëdha që ata ndajnë dhe kanë të bëjnë me pushtetin dhe qeverisjen në Shqipëri. Kështu që unë nuk shoh probleme mes tyre. Ndoshta në një moment të dytë kur do të duhet eventualisht të diskutojnë për një ribërje të qeverisë, e pjesshme ose tërësore, atëherë mbetet për t’u parë se si do të negociojnë. Për sa i përket zotit Basha, për të kuptuar më mirë paradigmën e tij në krye të opozitës mjafton të shohim që na premtoi një stinë protestash dhe po e mbaron stinën me fjalime dhe konferenca shtypi. Pra, kemi një opozitë që vuan nga identiteti, karizma dhe nga pigmenti i kryetarit të saj, i cili vuan ende nga dualizmi i kryetarit dhe ish-kryetarit dhe që vuan nga një aksion opozitar që vazhdon të jetë anemik dhe i zbehtë. Nëse shohim eksponentë të opozitës, tonet i kanë shumë të larta, kërcënimet gjithashtu, por kam përshtypjen se veshët që i dëgjojnë janë të pakët megjithëse ata bërtasin.

Top Channel