RENEA, operacion për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë në Mirditë

15/09/2015 11:10

Forcat RENEA ka nisur një operacion për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë, i shumëkërkuar dhe i dënuar me 20 vjet burg.

Informacionet paraprake të policisë bëjnë të ditur se Petrit Dushi, 44-vjeç kërkohet për vrasje dhe falsifikim. Operacioni për kapjen e tij vijon ende, në një zonë malore me terren shumë të vështirë, ku janë dërguar edhe forca nga ajri.

Mësohet se Dushi ka hapur zjarr ndaj policisë, por fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur në radhët e policisë. Policia dyshon se vetë personi në kërkim mund të ketë mbetur i plagosur.

Kush është Petrit Dushi?

Petrit Dushi është një emër mjafti i njohur për policinë. Afërsisht 13 vite më parë ai vrau bashkëfshatarin e tij në fshatin Kaçinar të Mirditës, pikërisht në ditën që viktima kishte martuar të bijën. Shkak i vrasjes ka qënë motivi i pronësisë.

Prej 10 vitesh Dushi jetonte në arrati, kur emri i tij u shfaq sërish në tetor të 2013, pasi kreu një tjetër vrasje. 44-vjeçari Dushi vrau dajën e babait të tij, Mark Jaku, në Ungrej të Lezhës, njeriun që e strehoi për pak kohë nga arratia. Ndoshta dhe debati për strehimin ka qënë shkak i vrasjes së dytë. Edhe në atë kohë policia nuk mundi të arrestonte Dushin, i cili prej vitesh ka jetuar nëpër malet e Mirditës.

Top Channel