Shitja e Milanit mbyllet më 1 tetor

15/09/2015 00:00

Procesi i shitjes së 48 përqind të aksioneve të Milanit te Mr.Bee do të mbyllet në datën 1 tetor, pikërisht 2 ditë pas ditëlindjes së presidentit kuqezi, Silvio Berluskoni.

Është vetë kreu i klubit milanez që e ka konfirmuar lajmin për median italiane.

“Gjithcka do të ndodhë 2 ditë pas ditëlindjes sime dhe unë jam në një moshë që nuk mund të festohet më. Shqyrtuam disa pika bashkëpunimi dhe gjithçka po shkon mirë. Mendoj se shitja e kësaj kuote aksionesh synon zgjerimin e markës së Milanit, jo vetëm në Kinë ku kemi 242 milionë simpatizantë, por edhe në vendet e tjera të Lindjes së Largët. Është një plan që mund të ndihmojë Milanin të rrisë të ardhurat e tij me 100 milionë euro në vit”, deklaroi presidenti kuqezi.

Berluskoni foli edhe për derbin me Interin edhe pse sfida u zhvillua përpara dy ditëve.

“Më në fund pashë  një ndeshje të bukur. Interi ishte i fortë, por edhe Milani luajti mirë. Fare mirë mund të kishte përfunduuar në barazim dhe do të ishte rezultati më i drejtë”, vlerësoi ai.

Top Channel