Policia Rrugore letër bizneseve të shpërndarjes për kaskat mbrojtëse

15/09/2015 12:35

Vetëm gjatë një viti dhjetra motoçiklistë humbin jetën ose aksidentohen me pasoja të rënda për shëndetin për shkak të mospërdorimit të kaskave mbrojtëse, apo siç njihen ndryshe kokoret.

Në bazë të të dhënave, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e tyre, janë motoçiklistë të punësuar pranë bizneseve të ndryshme që operojnë në fushën e shpërndarjes së mallrave të ndryshëm ose shërbimeve të tjera, si piceri, shërbime postare etj.

Për këtë arsye Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë nismën duke u dërguar një letër bizneseve që operojnë në këto fusha për t’u kërkuar këtyre të fundit mos lejojnë punonjësit e tyre të lëvizn pa kokoren mbrojtëse.

Po në letër, paralajmërohet se do të ketë kontrolle të rrepta në këtë drejtim si dhe theksohet se punëdhënësi është përgjegjës për pasojat e rënda ndaj jetës dhe shëndetit të punëmarrësit.

Ekspertë të Policisë Rrugore mendojnë se ka ardhur koha që gjoba për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse të 5 ose 10 fishohet si një mënyrë për të parandaluar aksidente fatale.

Top Channel