Festivali i filmit ballkanik, edicioni i pestë sjell filma dhe kulinari

15/09/2015 12:40

Festivali i filmit Ballkanik ka startuar edicionin e tij të 5- të duke sjellë kështu edhe mesazhin e tij se arti i tejkalon kufijtë konvencionalë.

Sikundër ka qenë vetë ideja e këtij festivali edhe këtë vit janë sjellë filma nga vende të ndryshme të Ballkanit.Sipas organizatorëve të festivalit, ai tashmë është konsoliduar ndërsa këtë vit i ka dhënë një hapësirë më të gjerë të rinjve për t’iu dhënë atyre mundësinë që të punojnë nën drejtimin e ekspertëve të njohur të filmit.

Këtë vit janë 100 filma ndërsa risi do të jete sjellja e disa filmave që do të realizohen nga një grup artistësh gjatë javës kur do të mbahet festivali.

“Ka më shumë filma, ka më shumë të ftuar, ajo që mund të themi që mund të jetë ndryshe është se prej datës 11 një grup shqiptarësh, grekësh, turqish, kanë ardhur në Pogradec, pjesë e projektit të festivalit që quhet “Ballkan Mish Mash Production”. Të cilët po ndërtojnë skenarët e tyre dhe gjatë ditëve të festivalit do të xhirojnë dhe në fund do të kemi pesë ose 6 filma të shkurtër të realizuar nga një grup i përbashkët ballkanasish. Nesër ndoshta me ndihmën e qëndrave të filmit, Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë e Shqipërisë ata do të bëjnë një miniproduksion të suksesshëm”, tha organizatori Eno Milkani.

Edicioni i 5-të i festivalit është përshëndetur edhe nga të ftuarit dhe pjesëmarrësit, të cilët kanë vlerësuar punën e bërë deri tani duke e parë atë si një prej eventeve më të veçanta.

“Festivali në vetvete i jep një impuls qytetit, edhe pse nuk është sezoni i pikut turistik këtu në Pogradec, prapë ndjehet një lloj gjallërie që duhet përkrahur nga pushteti lokal”, tha Saimir Kumbaro, regjisor.

“Është viti i pestë që po bëhet ky festival kaq simpatik, unë kam patur nderin të kem qënë presidenti i parë i këtij festivali, kur hapi siparin. Sigurisht, është një gjë e re”, u shpreh Esat Mysliu, regjisor

Për 1 javë ky festival do të gjallërojë jetën e qytetit të Pogradecit duke sjellë shijen e artit dhe kulinarisë së bashku.

Top Channel