Foto familjare me babain e vdekur

15/09/2015 00:00

Nëna amerikane e dy fëmijëve zgjodhi të shkrepë një foto familjare nga funerali i bashkëshortit të saj dhe më pas të shpërndajë atë në rrjetet sociale.

Në foto, Eva Holland, nënë e një vajze dhe e një djali, shfaqet e buzëqeshur me dy fëmijët e saj, ndërsa në cep të fotos është bashkëshorti i saj i vdekur, Mike Settles.

Postimi duket mizor në pamje të parë, por qëllimi i Evas ka qenë gjetkë. Bashkëshorti i saj ndërroi jetë si pasojë e varësisë që kishte krijuar nga heroina, një mbidozë e të cilës edhe i mori jetën.

“E di që kjo foto mund të shqetësojë shumë persona, e di që shumë do të zemërohen, nuk do ta kuptojnë, por asnjë prind nuk duhet të varrosë fëmijën e tij dhe asnjë fëmijë në moshën e fëmijëve të mi nuk duhet të varrosë prindin e tij. Kjo mund të shmangej dhe s’kishte pse të ndodhte. Një zgjedhje e gabuar shkatërroi familjen e tij. E di që shumë njerëz do të zemërohen për këtë postim timin, por e vërteta është që heroina vret dhe kjo duhet të trembë këdo që të gjejë rrugën e heqjes dorë prej saj pa shkatërruar familjen”, shkruan Eva.

Reagimet për foton kanë qenë të ndryshme. Ka nga ata që e kanë kritikuar për vendimin, të tjerë që i kanë dalë në mbrojtje vejushës duke e përgëzuar për guximin e marrë për të ndërgjegjësuar shoqërinë për një problem që merr jetë dhe shkatërron familje çdo ditë.

FOTO GALERI
1/3
Fotoja që ngjalli reagime të ndryshme

Top Channel