Koreja e Veriut riaktivizon impiantin bërthamor; Peniani, sfidë Perëndimit

15/09/2015 13:30

Koreja e Veriut trazon sërish ujërat me një deklaratë të orëve të para të ditës, se impianti bërthamor i Jongbionit ka rinisur operacionet si normalisht dhe se vendi është duke përmirësuar arsenalin e vet bërthamor në nivel “cilësie” dhe “sasie”.

Reaktori i u mbyll në vitin 2007, por pas dështimit të negociatave për fundin e ambicjeve bërthamore, testit të tretë atomik dhe tensioneve të larta rajonale, Peniani në 2013-n u zotua ta riaktivizonte.

Bëhet fjalë për reaktorin e konsideruar si burimi kryesor i plutoniumit në programin nuklear të shtetit të izoluar komunist. Ekspertët besojnë se po të ketë nisur vërtet nga puna, ai mund të prodhojë në vit plutonium të mjaftueshëm për një bombë atomike.

Njoftimi i agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA nuk ndalet megjithatë me kaq. Republika Popullore Demokratike e Koresë, vazhdon ai, tanimë është e gatshme t’i bëjë ballë në çdo moment me armë atomike “armiqësisë së Shteteve të Bashkuara apo çdo vendi tjetër kundershtar”.

Kjo lëvizje e fundit e Penianit pritet t’i përkeqësojë akoma më shumë marrëdhëniet mes tij dhe pjesës tjetër të botës.

Megjithatë, mes rreshtave të deklaratës së tij, eskpertët dëshifrojnë një përpjekje për të ushtruar presion mbi Perëndimin për rinisjen e bisedimeve mes palëve, që mund të çonin drejt lëshimeve të ndryshme dhe lehtësimit të sanksioneve ndaj regjimit koreano-verior.

Top Channel