Kosovë, ambasadori britanik: Rezultate zhgënjyese kundër korrupsionit

15/09/2015 13:40

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë i ka vlerësuar si tronditëse, të turpshme dhe të papranueshme, rezultatet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë prezantimit të një raporti në lidhje me nivelin e korrupsionit dhe shërbimeve publike, në ditën botërore të Demokracisë, ambasadori britanik tha se është e pakuptimtë, që Kosova ka kaq shumë institucione që e luftojnë korrupsionin, ndërsa në nivelet më të larta ka shumë korrupsion.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe të shpallet si prioritet i tillë. Duke parë raportin, e shoh që nuk kemi pasur rezultate të mjaftueshme. Këto rezultate janë tronditëse në një aspekt, të turpshme e të papranueshme, si dhe e pengojnë zhvillimin ekonomik dhe demokratik në Kosovë. Shumë institucione paskan një rol në këtë sfidë, ndërsa unë duke folur për qeverinë time, mund të them se ajo është e interesuar që Kosova të jetë një vend i qëndrueshëm dhe i zhvilluar, ku sundon rendi dhe ligji. Nuk do të zhvillohet në këtë drejtim, nëse institucionet nuk marrin përgjegjësinë e tyre. Gjithashtu, qytetarët pranojnë një gjendje të tillë. Është shokuese për mua, që rezultatet tregojnë se një numër i madh i qytetarëve pranojnë praktikat e korrupsionit. Nëse nuk dëshirojnë korrupsionin, atëherë të mos e pranojnë”, tha Ruairi O’Conell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Diplomati britanik e ka vlerësuar të patolerueshme përfshirjen e zyrtarëve të lartë të institucioneve në vepra të dyshimta të korrupsionit.

“Kosova vazhdon të mos dëshmojë përkushtim për ta konfiskuar pasurinë e paligjshme, të përfituar përmes veprave penale. Lufta kundër korrupsionit duhet të fillojë  brenda institucioneve dhe shembulin do të duhej ta jepnin së pari prej aty. Është e patolerueshme, që të shohim skandalet e njëpasnjëshme të përfshirjes në akte të dyshimta korruptive, të zyrtarëve të institucioneve dhe në të njëjtën kohë, të mos shohim ndëshkimin e tyre. Duhet të ndërpritet praktika e pandëshkueshmërisë dhe mosdhënies së llogarisë ndaj askujt”, tha më tej Ruairi O’Conell.

Për sistemin e dobët të ndjekjes dhe të luftimit të korrupsionit foli edhe prokurorja në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, e cila akuzoi kolegët e saj për neglizhencë.

“Besojeni se, edhe ne jemi të turpëruar dhe tepër të shqetësuar me rastet e keqpërdorimeve, që ndodhin në mesin e bartësve të funksionit gjyqësor apo prokurorial. Edhe ne, brenda sistemit prokurorial, jemi të lodhur e të mërzitur nga kolegët tanë prokurorë, të cilët kujdesen më shumë për dukjen e tyre fizike para kamerave, sesa për përmbajtjen se çfarë do të komunikojnë, çfarë do t’i tregojnë publikut. Jemi të mërzitur e të lodhur nga prokurorë burokratë, të cilët i zhvillojnë hetimet nga zyrat e tyre, nga kafenetë apo nga restorantet, duke drekuar edhe me politikanë, në disa raste edhe me persona të dyshimtë. Jemi të lodhur nga prokurorët, të cilët kujdesen më shumë për interesat e tyre personale, për privilegjet e tyre, sesa për luftën kundër kriminalitetit. Kjo është edhe për ne e papranueshme”, tha Drita Hajdari, nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas raportit të publikuar të martën, rreth 40,30 për qind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është më së shumti i shtrirë në Qeveri; 27,90 për qind në partitë politike dhe 26,10 për qind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është në sistemin gjyqësor.

Top Channel