Programi i bursave në SHBA për gjimnazistët, ja datat e konkurrimit

15/09/2015 14:45

Në kuadër të programit të “Youth Exchange and Study”, ambasada amerikane në Tiranë publikoi datat e fazës së parë të konkurrimit për të gjithë nxënësit e klasave 11 dhe 12 të gjimnazeve shqiptare, që mund të përfitojnë një vit studimi me bursë falas në shkollat e mesme në Shtetet e Bashkuara.

Programi përqendrohet në zhvillimin e komunikimit ndërmjet qytetarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve partnere të YES, me qëllim ngritjen e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjelltë. Nxënësit akomodohen në një familje pritëse, ndjekin një shkollë të mesme, angazhohen në aktivitete për të mësuar mbi shoqërinë dhe vlerat amerikane, sigurojnë aftësi drejtimi dhe ndihmojnë edukimin dhe informimin e amerikanëve mbi vendin dhe kulturën e tyre.

Ky program mbështetet financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Faza e parë e konkurimit do të zhvillohet në Tiranë më 4 nëntor dhe në Fier më 6 nëntor.

Ambasada e SHBA sqaron se pjesëmarrësit duhet të jenë të datëlindjes mes 1 janarit 1999 dhe 15 korrikut 2001, me rezultate të mira në shkollë dhe njohuri të anglishtes.

Top Channel