Shkarkimi i mësuesve në Hotolisht, Nikolla: Grupet e inspektimit në terren

15/09/2015 14:50

Rasti i shkarkimit të të gjithë mësuesve të shkollës së mesme në Hotolisht të Librazhdit është bërë objekt debati edhe në mbledhjen e komisionit parlamentar për arsimin dhe median, ku ishte e ftuar ministrja Lindita Nikolla. Deputetët kërkuan shpjegime për rastet e emërimit dhe shkarkimit të mësuesve.

“Si mund të hiqet i gjithë stafi i një shkolle që ka një histori brenda kësaj shkolle dhe të zëvendësohet në një mënyrë krejtësisht absurde dhe antiligjore dhe ministria e Arsimit nuk ka thënë një rrokje të vetme për këtë”, u shpreh Luçiano Boçi.

“Në terren janë grupet e inspektimit që po shohin të gjithë procedurat çfarë ka ndodhur atje. Ndërkohë që është publike një situatë e vështirë përsa i përket dhunës që është ushtruar, sistematike në shkollën e Hotolishtit në sy të nxënësve, midis mësuesve. Gjë që, në një informacion të parë nga zyra arsimore ka rezultuar në ndarjen në grupe të mësueve, duke komunikuar për çdo gjë tjetër me njëri tjetrin po jo për atë që duhet të jetë e përditshmja e jetës së shkollës dhe cilësinë e nxënësve”, u përgjigj ministrja Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se në arsim janë ende të dukshme pasojat e emërimeve politike të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Sipas saj, mëuesit do të klasifikohen sipas performancës së tyre reale, çka do të thotë edhe mbylljen e 60 agjencive ku deri më sot bliheshin kredite.

“Janë liçencuar dhe akredituar rreth 60 agjenci private që bëjnë trajnimin e mësuesve. Dhe e di si bëhet trajnimi i mësuesve? Marrin një telefonatë, i thonë dua kaq kredite në portofilin tim. Shkojnë të nesërmen paguhen eurot dhe merret diploma. Ne do ta shembim këtë piramidë të turpshme”, vijon Nikolla.

Në fund të kësaj dëgjese, deputetët e mazhorancës votuan kundër dekretit të presidentit për mosmiratimin e ligjit të arsimit të lartë, ndërkohë që opozita deklaroi se do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel