Ndryshon subvencioni i bujqësisë, tregtarët manipuluan faturat

15/09/2015 15:15

Skema që kompenson Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për fermerët përmes tregtarëve të produkteve bujqësore do të ndryshojë.

Një udhëzim i ri i Ministrisë së Financave, sanksionon se TVSH në masën 20 përqind do t’ju kreditohet tregtarëve, që blejnë produkte nga fermerët, vetëm nëse këta të fundit e kryjenë pagesën e blerjes së produkteve përmes bankës.

Skema e rimbursimit të TVSH-së në bujqësi ka për qëllim të ndihmojë financiarisht fermërët duke ju paguar atyre 20 përqind të çmimit të mallit si Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Por ajo funksionon zinxhir dhe në qendër të saj janë tregtarët, ose siç njihen ndryshe personat e tatueshëm, blerës. Pra është përmes tregtarëve që buxheti ua kompenson TVSH-në fermerëve. 

Më konkretisht, për çdo blerje tek fermerët, tregtarët autofaturojnë një faturë në të cilën shënohet çmimi i blerjes së produkteve dhe mbi të një shtesë prej 20 përqind TVSH, të cilën ata ua kanë paguar fermerëve. Këtë 20 përqindësh, që u kanë paguar fermerëve shtesë mbi çmimin, më pas tregtarët e marrin nga Thesari i Shtetit duke dorëzuar faturën e blerjes së produkteve.

Por, Tatimet dhe Ministria e Financave thonë se skema filloi të deformohej dhe në vend që të përfitonin fermerët, TVSH-ja po merrej padrejtësisht nga tregtarët, të cilët paraqisnin fatura të manipuluara në Thesar. Për të shmangur këtë abuzim, tani Tatimet dhe Thesari do të bëjnë rimbursim vetëm për ato pagesa, të cilat tregtarët do të kryejnë përmes bankës dhe jo më për pagesat me para në dorë, siç ka funksionuar deri më tani.

Top Channel