Padia e bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj: Hakmarrje primitive

15/09/2015 15:15

Ish kryetari i bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj e ka quajtur hakmarrje primitive padinë e bërë nga pasardhësi i tij, Bashkim Shehu. Në një prononcim për mediat, Halilaj thotë se i është kërkuar të heqë dorë nga gjyqi për shpifje ndaj deputetit Noka, që të mos ketë padi nga institucionet e bashkisë.

“Bëj me dije opinion publik se kjo është hakmarrje primitive. Më datën 17 unë kam një seancë gjyqësore me deputetin e zonës, për shpifje, me zotin Noka, dhe në kompensim të dorëheqjes sime nga kjo seancë gjyqësore në Gjykatën e Lartë më është kërkuar që unë të bëj dorëheqje që të mos kem padi nga institucionet e bashkisë së Kukësit. Do të jem konseguent dhe do i përgjigjem të gjitha institucioneve shtetërore dhe do të bëj shpjegimet e duhura për atë që më akuzojnë. Ju garantoj se jo vetëm do të jem në mbështetje të futbollit, por dhe në mbështetje të çfarëdolloj problematike që do të ketë Kukësi dhe bashkia e Kukësit. Kuksianët do të shohin më së miri se zotëria në fjalë, kush është dhe çfarë do të përfaqësojë dhe kush ka qënë qëllimi i ardhjes së tij në Kukës”, ka deklaruar ish kreu i bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj.

Top Channel