Mësuesit në protestë, u pushuan nga puna dhe u transferuan

15/09/2015 15:00

Mësuesit e pushuar nga puna dhe ata të cilët janë transferuar e kanë vijuar protestën e tyre sot pranë Drejtorisë Arsimore, Librazhd. Të mbështetur nga Sindikata e pavarur e Arsimit dhe Federata Sindikale e Arsimit dhe Shkencës ata kërkuan të drejtat e tyre për largimin e pamotivuar nga puna.

Kryetari i Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës Xhaferr Dobrushi e cilësoi shkollën e Hotolishtit një rast të paprecedent, ku i gjithë stafi është larguar. Dobrushi tha se ndaj mësuesve po ushtrohet terror.
 
“I jemi drejtuar sot në mëngjes ministres së Arsimit, duke i kërkuar që të marrë masa për ta vendosur në normalitet zyrën arsimore të Librazhdit, me qëllim që lëvizjet dhe largimet nga puna bëhen vetëm brenda kuadrit ligjor ekzistues. Unë kam marrë përgjigje nga ministrja, që ajo do ta ndjekë me shqetësim dhe do të marrë masat. Në këtë përgjigje ka ardhur një ekip i autorizuar nga ministria dhe do të shqyrtojmë sot ligjërisht gjithë praktikën”, tha Xhaferr Dobrushi, Kryetari i Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës
 
Në drejtorinë Arsimore të Librazhdit mbërriti edhe një përfaqësi e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale të Elbasanit të cilët zhvilluan një takim me drejtoreshën Fatbardha Qatja. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura ndërkohë që pritet një tjetër reagim nga Ministria e Arsimit për rastin e shkollës së mesme të Bashkuar të Hotolishtit.

Top Channel